Vedat Muriqi ka bërë një sezon të shkëlqyer në radhët e Fenerbahçes, ku ka shënuar 13 gola dhe ka dhuruar 5 asist në elitën e Turqisë. Shifra këto që e kanë vënë në radarët e klubeve të njohura të Europës, si Lazio, Totenham apo Atletico Madrid. Gjigandët turq kanë fërkuar duart nga ky interesim për sulmuesin shqiptar, pasi po përgatiten të marrin një shumë të madhe parash nga shitja e tij, gjë që do i ndihmonte të përballonin krizën e shkaktuar këto kohë.
Sipas asaj që raporton media “A Spor” Totenhem ka dërguar ofertën e parë zyrtare për Fenerbahçen, por shuma e parave e dhënë nga klubi anglez duket të ketë zhgënjyer skuadrën nga Stambolli. Vetëm 5 milionë euro ka vendosur të shpenzojnë Spërsat për shërbimet e Muriqit, ndërsa drejtuesit e Fenerbahçes i kanë vendosur një çmim të paktën 25 milionë euro. Ndërkohë kujtojmë se sulmuesi shtatlartë dardan u transferua në gjigantin turk për shifrën 2.5 milionë euro nga Rizespor./Halit Delibashi-Sport Ekspres/