Nga Klaudio Ndreca
Një bisedë mes spektaklit dhe humorit ka qenë ajo e Bledar Devollit dhe Bledar Shkëmbit. Të dy trajnerët e njohur kanë qenë prezent në emisionin “Fan Zone”, atje ku nuk kanë munguar edhe batutat mes tyre.
Kështu një rrëfim më të gjatë ka bërë Devolli, që zgjodhi të largohej nga të rinjtë e Tiranës pas suksesit me ta. Arsyeja qendronte në egon e këtij trajneri, pasi kërkon që të stërvisë dhe të jetë trajneri i parë në Superiore. Madje edhe kur shkoi te bardheblutë ka qenë si objektiv mbërritja në ekipin A. Më poshtë mund të gjeni edhe një fragment nga biseda Shkëmbi-Devolli:
Bledar Shkëmbi: “Devolli paska rritur flokët”.
Bledar Devolli: “Unë kam nja 20 vite kështu, se e pashë që nuk kisha prespektivë”.
Bledar Devolli: “15 ditët e para e kam pasur shumë të vështirë, por pastaj e gjeta zgjidhjen dhe ia futa në Gjirokastër. Atje është zonë e gjelbërt, pastaj dhe një shoku im ka një lokal, pija kafe fshehurazi me filxhan dhe jo me plastik. Na e bënë Koronavirusin si gogol që të mbyllnim dyert e dritare se na vinte armiku i padukshëm. Ika në Gjirokastër dhe kam bërë edhe stërvitje për vete. Kam nxjerrë material për punën, vetëm cigaren që se lashë dot, nuk ka karantinë që të më bëj që të lë cigaren”.
Bledi Shkëmbi: “Karantina më bëri që të blej biçikletë, të shijoj këtë shtëpinë në fshat. Pra po bëjmë gjëra që më parë nuk e mendonim”.
Bledar Devolli: “Të marrë Flamurtarin? Unë e kam thënë, pa ofenduar askënd, nuk dua të merrem më me Kategorinë e Parë. Jam profesionist, e bëj me pasion punën dhe kushdo ekip që është në Superiore mund të jetë një variant. Si fillimisht mund të ishte një ekip mbi mesataren dhe pastaj për më lartë. Të marrë Vllazninë? Po sepse ka shumë traditë. Unë më parë kam luajtur për një vit te Vllaznia dhe e di se çfarë qyteti i mirë që është. Megjithëse ka pasur ato vështirësitë e saj ajo periudhë, pasi kishim nga 4 orë drita në ditë. Kur më ofroi të rinjtë e Tiranës presidenti Halili, unë thashë me vete: “Diçka ka këtu”. Ua bëra të qartë që unë po vij te moshat dhe prespektiva ime ishte ekipi i parë. Ndërkohë që ju do më shihni për mënyrën sesi unë e bëj punën time. Pastaj ika dhe u largova për shkak të egos sime pasi dua të shkoj më larg. Tani Egbo po bën një punë të mirë dhe Tirana po shpallet kampion. Uroj që të shpallet 10 vite kampion”.