Klubi i Lokomotivës së Lajpzigut ka zhvilluar ditën e djeshme ndeshjen virtuale me kundërshtarin e padukshëm. Një ndeshje fantazmë që përfundoi me shifrat 5-o për ekipin gjerman. Një nismë kjo që synonte nga ana e Lokomotivës mbledhjen e fondeve për të ndihmuar klubin me problemet ekonomike të krijuara prej pandemisë Covid-19. Kjo fushatë nisi që në 19 mars dhe tifozët janë përgjigjur në mënyrën më të mirë të mundshme.
Plot 182612 sportdashës kanë blerë një biletë për këtë ndeshje virtuale, ndërsa çmimi për një të tillë ishte vetëm 1 euro. Pra një shumë e konsiderueshme ka shkuar në arkat e Lokomotivës së Lajpzig, që me këtë interesim ka thyer edhe një rekord. Bëhet fjalë për shikueshmërinë në vitin 1987, kur skuadra gjermane mposhti Bordonë në kompeticionet europiane, ndërsa gjithçka u pa nga sytë e 120 mijë tifozëve.
Një rekord ky që u thye bindshëm. Ndërkohë klubi kishte përgatitur edhe një video, ku inskenonte një ndeshje futbolli. Në stadiumin e boshatisur dëgjohej audio e atmosferës që dhurojnë tifozët nga tribunat, si dhe janë shfaqur edhe momentet e golave. Për ta realizuar të gjithën këtë është dashur një periudhë kohe prej 6 javësh./Halit Delibashi-Sport Ekspres/