“Edhe fanellat do zihen me njëra-tjetrën”, Ardian Mema: Nuk kam dëgjuar të pyesni një trajner të Partizanit…

Nga Klaudio Ndreca

Ardian Mema ka qenë i pranishëm në emisionin “Fax Sport”, atje ku ka folur për situatën e Tiranës në Superiore. Ish-trajneri i bardhebluve mendon se kjo është skuadra që i ka bërë më shumë dëm mungesa e futbollit nga pandemia, për ecurinë pozitive që kishte në tërë ato javë. Gjithashtu kur i përsëritet një pyetje e bërë në shumë raste nëse do të merrte drejtimin e Partizanit, nuk ka munguar edhe humori nga ana e Memës.

“Një sportist e ka të vështirë dhe nuk mundesh ta mbash katër mureve. Ky pushim i madh ka qenë në dëm të Tiranës duke parë rezultatet që kishte përpara dhe tani duhet të kthehet prapë atje ku ishte. Nuk e di sesa të përgjegjshëm kanë qenë lojtarët në këtë periudhë, sepse kalendari do të jetë shumë i ngjeshur dhe duhet të mbyllet brenda datës 3 gusht sipas UEFA-s.

Tirana i ka të gjitha mundësitë që të ruajë distancën me Kukësin. Deklarata e Shehit që është vetëm 6 pikë larg Tiranës, pasi e quan të fituar ndeshjen direkte? Por këto janë deklarata që janë për ju mediat më shumë, unë e kam mësuar se fitohet në fushë dhe jo në këtë mënyrë. Këto janë deklarata thjeshtë motivuese. Derbi? Një miku im thotë një gjë të bukur, Lutfi Nuri, që po të vësh në tavolinë fanellën e Partizanit dhe Tiranës do të nisin që të zihen me njëra-tjetrën.

Të marrë drejtimin e Partizanit? Nuk e di se përse ma bëni gjithmonë mua këtë pyetje. Nuk kam dëgjuar që të pyesni njëherë një trajner të Partizanit që a e merr Tiranën(qesh)… Jo vërtet nuk kam plane për të drejtuar në Shqipëri për momentin”, u shpreh Mema. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *