“Mbyllja e kampionatit? Zgjidhet lehtë, jemi 9 pikë para”/ Egbo flet për Hoxhën dhe titullin: Do e festojmë me tifozët

Tirana ka bërë një sezon të shkëlqyer nën drejtimin e Emanuel Egbo dhe ndërprerja e kampionatit i gjen të shkëputur plot 9 pikë para në renditje. Rifillimi ende po mbahet peng nga qeveria shqiptare dhe është e paqartë se çfarë rruge do të ndiqet. Ndërkohë Egbo ka shprehur dëshirën për të zbritur sërish në fushë, pasi në fund të fundit kjo është edhe një punë për ta. Në një intervistë me “Top Channel”, trajneri i bardhebluve deklaron se nëse vazhdimi i kampionatit nuk është i mundur, atëherë Tirana e Meriton plotësisht titullin kampion.

Madje për fitimin e këtij trofeu do të organizojnë edhe një festë me tifozët e tyre në momentin kur situata të jetë përmirësuar. Sa i përket çështjes së financave, Egbo qartëson se presidenti i ka bërë me dije se çdo gjë është në rregull, si dhe pagat e tyre nuk do të preken aspak. Ndërkaq kreu i pankinës së kryeqytetasve ka kthyer edhe përgjigje për deklaratën e portierit Alban Hoxha, që do të shprehej se e respekton shumë ekipin e Tiranës, megjithëse luan me rivalët e tyre më të mëdhenj, Partizanin.

Ndërprerja

“Po të ishte një ndërprerje kohore dy javore do të ishte pozitive, por duke u shtyrë koha më shumë se 1 muaj e gjysmë e gati dy muaj po bëhet e bezdisshme dhe asnjë sportist nuk do të ketë shansin që të arrijë formën që kishte kur u bë kjo ndërprerje”.

Pezullimi përfundimtar i kampionatit

“Përderisa jemi 9 pikë më shumë se sa vendi i dytë ky kampionat është më i lehtë për t’u zgjidhur, Jemi ndryshe nga Italia që diferenca mes dy vendeve të para është vetëm një pikë apo si në Francë ku u mbyll dhe PSG-ja u shpall kampion. Tirana e meriton plotësisht me u shpall kampion nëse mbyllet sot”.

Ndikimi ekonomik

“Sa i përket aspektit ekonomik, kjo situatë nuk ka ndikuar pasi ne kemi folur edhe me presidentin e klubit dhe ai na ka garantuar që cdo gjë do të jetë në rregull. Me sa kam diskutuar me presidentin më ka garantuar që nuk do të kenë asnjë prekje pagash”.

Deklarata e Hoxhës

“Futbolli është për profesionistët dhe kur je profesionist nuk ka rëndësi se ku mund të shkosh. Nëse nuk je mirë aty ku je dhe do të lëvizësh, sigurisht Tirana është një skuadër ku të gjithë e kanë ëndërr të luajnë”.

Thirrje qeverisë

“Futbolli është puna jonë ne nuk bëjmë sport për hobi, kjo është punë për ne, ne me këtë gjë merremi”.

Festa e titullit

“Nëse shpallemi kampion do të mendojmë prapë se ku do të festojmë bashkë me tifozët. Nuk ka rëndësi kur do të jetë, në shtator në tetor apo kur të fillojnë gjërat”, ka thënë Egbo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *