Ikardi po përflitet prej kohësh për një transferim te Juventusi. PSG nuk ka ndërmend ta aktivizojë klauzolën e blerjes në verë, teksa nuk është bindur nga ajo çfarë lojtari ka dhënë në fushë. Ndërkaq edhe te Interi nuk ka vend për të, pasi Konte nuk e ka në planet e tij. Por veshjen e Ikardit bardhezi, Moxhi e sheh si tejet të vështirë, madje duke nënkuptuar se do të rezultonte një dështim. Ish drejtori sportiv i Juventusit dhe i Partizanit thotë se argjentinasi nuk do të luante kurrë te “zonja e vjetër”, ku nuk do të shihte dot top me sy.
“Kur dëgjoj për Mauro Ikardin, nga ana tjetër, unë duhet ta përjashtoj atë. Nëse tani Gonzalo Higuain, shpesh dhe me dëshirë, shkon në pankinë sepse Paulo Dibala dhe Kristiano Ronaldo luajnë, imagjinoni Ikardin me këtë sistem këtu. Ai kurrë nuk do të luante dhe do të ishte gjithnjë i preferuar Dibala dhe Ronaldo, dy lojtarë që gjuajnë dhe shënojnë shumë. Ikardi, me pak fjalë, nuk do ta shohë kurrë topin. Në gjashtëmbëdhjetë metra argjentinasi është shumë i rëndësishëm, por atij i duhet një lojë ekipore”, ka thënë Moxhi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/