Valeri Bozhinov u përfol gjatë për një transferim në kampionatin shqiptar muajin e shkuar, por e ardhmja e tij nuk rezultoi në Superiore. Sulmuesi bullgar vendosi të rikthehej në Itali, ku më parë ka qenë edhe pjesë e klubeve si Juventus, Parma apo edhe Leçe. Bozhinov iu bashkua Memushajt me Peskarën në Serinë B, por për të debutuar do i duhet ende kohë.
Lojtari u bë protagonist në takimin e fundit të Peskarës kundër Krotones, megjithëse jo në fushën e lojës por në stolin e rezervave. Pas 27 minutash lojë, Bozhinov ndëshkohet me karton të kuq në herën e parë që grumbullohej me skuadrën, duke i hequr mundësinë vetes për të debutuar. Një kundërshtim ndaj gjyqtarit të ndeshjes për një vendim të marrë nga ky i fundit solli edhe një karton të kuq të drejtim të sulmuesit bullgar.
“Një debutim pa debutuar ende” janë fjalët që mediat italiane kanë zgjedhur për të përshkruar këtë histori, ndërsa tregojnë se ndëshkimi me të kuq prishi edhe planet e trajnerit. Kjo pasi kreu i pankinës dëshironte t’i jepte minuta në fushën e lojës gjatë pjesës së dytë. Megjithatë duhet të presim mbarimin e dënimit për të parë lojtarin Bozhinov të luajë me fanellën e Peskarës./Sport Ekspres/