Trajneri i ri i Luftëtarit, Marantas, e ka nisur me fitore debutimin e tij në stolin e bluzinjve. Pikërisht ai triumf i arritur ndaj Flamurtarit në shifrat 2-1, me golin e Realdo Filit që erdhi në minutat e fundit. Tashmë Superiorja ia lë vendin Kupës së Shqipërisë dhe aty skuadra ka objektivin për të shkuar sa më larg të jetë e mundur.
Nëse prisnit një formacion të dytë ndaj Turbinës, atëherë kjo nuk do të ndodhë. Sipas prononcimit të Marantas për “RTSH Sport”, do të jenë të njëjtët lojtarë që do të hidhen në fushën e lojës, ashtu si edhe ndaj vlonjatëve.
“Më kënaq fitorja me Flamurtarin por tani na duhet të mendojmë për një tjetër ndeshje të rëndësishme. Të mërkurën luajmë me Turbinën, për Kupën e Shqipërisë, prandaj duhet të përgatitemi mirë. Po, bëra disa ndryshime në vendosjen e lojtarëve në fushë. Po të bazohem me atë që pashë në fushën e lojës them se rezultuan të suksesshme. Po këta lojtarë do të jenë të gatshëm edhe për ndeshjen e ardhshme”, ka thënë Marantas. /Sport Ekspres/