Valon Berisha është për t’u duartrokitur për karrierën e tij dhe sakrificat që ka bërë vetëm për të dëgjuar zemrën. I vetmi futbollist që zgjodhi të linte një Kombëtare me më shumë emër, vetëm për t’iu bashkuar Kosovës.
Shumë histori kishim dëgjuar që Xhaka dhe Shaqiri do të braktisnin Zvicrën, por të gjitha rezultuan si të pavërteta. Por shpërblimi nuk ishte më i miri i mundshmi ndaj Anglisë. Valon Berisha ka qenë pa shiritin e kapitenit ndaj “tre luanëve”, megjithëse fillimisht e kishte këtë gradim.
Pas mungesës së tij 7 mujore, shiriti i kaloi Rrahmanit dhe te Kosova nuk zgjodhën që ta rikthejnë te i zoti. Për më tepër në humbjen ndaj Anglisë me rezultatin 5-3, Berishës i është marrë edhe penalltia nga Muriqi.
Mes tyre ka pasur edhe një debat të vogël, pasi gjithmonë është Berisha që i gjuan penalltitë. Por Muriqi kërkoi të shënonte një gol në atë përballe, pasi lojtari i Lacios kishte realizuar dy të tillë. Pavarësisht gjithë kësaj, kur është pyetur nga gazetarët për incidentin, Berisha ka ulur edhe njëherë kokën: “Nuk kemi zënka, Muriqin e kam si vëlla dhe ne jemi një grup i bashkuar”. Një leksion i madh edhe për lojtarët e tjerë, por njëkohësisht nuk mund të fshihet edhe padrejtësia që po i bëhet këtij lojtari. /Sport Ekspres/