Shqipëria ka bërë publike listën e saj sa i përket dy takimeve të radhës që do të zhvillojë ndaj Francës dhe Islandës. Përballje këto që priten me shumë interes nga tifozët shqiptarë, pasi do të përcaktojnë edhe vazhdimësinë e kuqezinjëve sa i përket kualifikueseve të Europianit.
Ashtu siç edhe u fol në media pak kohë më parë, ajo që bie në sy në këtë listë është mungesa e Eros Grezdës. Pikërisht futbollisti që përfaqëson Rangersin, por që nuk ka pasur asnjëherë hapësirë në këtë sezon, aqsa trajneri Gerrard e ka dërguar tek të rinjtë. Po aq e kuptueshme është edhe vendimi për të marrë Klaus Gjasulën si prurje të re, mesfushorin që vjen nga Paderborni në Bundesligë.
Madje në këtë rast, lojtari në fjalë shërben edhe si një motivim për lojtarët e tjerë, nga historia e karrierës së tij. Pasi e nisi në divizionet më të ulta të Gjermanisë, falë këmbënguljes dhe aftësisë së madhe që zotëron, tani është pjesë e elitës. Gjithashtu jashtë listës së plotë do të jetë edhe Armando Sadiku, por në këtë rast sulmuesi i Levantes do të jetë i gatshëm në situatat alarmante dhe të dëmtimit. Në këtë listë te lojtarët e gatshëm gjendet edhe Ergys Kaçe apo Taulant Seferi. /Sport Ekspres/