Kili ia ka dalë të fitojë edhe ndeshjen e dytë në grup dhe kualifikohet në tetë më të mirat. Kampionët në fuqi të Copa America kanë kaluar me sukses Ekuadorin, që e kanë mposhtur me rezultatin e ngushtë 1-2. Ndeshja nisi me gol, teksa ishte Fuenzalida ai që realizoi.
Pas një goditjeje këndi dhe një rrëmujë në zonë, me një gjuajtje të fortë që u devijua edhe nga shtylla, lojtari i Kilit ia doli të shënojë. Gjithsesi barazimi do të vinte pa kaluar 20 minuta. Një penallti neto për Ekuadorin u konkretizua nga Valencia dhe shifrat u barazuan në 1-1.
Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërkohë që e dyta nisi me gol. Ishte Aleksis Sançez ai i cili nuk fali pas një krosi në zonë dhe e dërgoi topin drejt e në rrjetë. Ekuadori u mundua të bënte diçka dhe e pati topin më shumë në kontroll. Gjithsesi nuk bëri mjaftueshëm për të shënuar golin e barazimit.
COPA AMERICA – GRUPI C
Ekuador-Kili 1-2
Shënues: Valencia 26’ (pen.) / Fuenzalida 8’, Sançez 51’