Kampion si futbollist, Berberi: Të njëjtat emocione edhe pas 26 viteve

Të dielën, Partizani u shpall zyrtarisht kampion i Kategorisë Superiore, një sukses që erdhi pas 26 vitesh pritje. Ky është titulli i 16-të për këtë skuadër, e cila e ka dominuar gjithë sezonin duke kryesuar javë pas jave. Për këtë sukses, ish-mbrojtësi i djathtë i Partizanit kampion në sezonin 1992-1993, Shahin Berberi, për SportEkspres.com deklaron se, në atë kohë ishte zbehur tifozeria në stadium.

“Titulli është kulmi i karrierës për çdo futbollist, sidomos kur e fiton me një skuadër Legjendë si Partizani. Për ne atëhere ishin momente të vështira e thuajse të braktisur nga tifozeria, ndërsa sot tifozët treguan se e duan këtë skuadër të madhe, kështu si Kampion”, deklaroi ish-mbrojtësi i djathtë i Partizanit kampion në sezonin 1992-1993.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Si e mbani mend titullin kampion 1992-1993 kur ju luanit si futbollist për Partizanin?
-Në atë sezon (1992-1993), Partizani fitoi trefish: Titullin Kampion, Kupën e Shqipërisë dhe “Këpuca e Artë” me Edmond Dostin që shënoi 21 gola. Në atë periudhë që unë kam dalë kampion me Partizanin, ishte një situatë e vështirë në Shqipëri, por ne dominonim futbollin.

Po titullin e fituar zyrtarisht të dielën me fitoren ndaj Tiranës, si e përjetuat?
-Natyrisht që me emocion dhe do ta quaja edhe këtë titull si të bukur, i cili ka të përbashkëta me titullin e fundit. Partizani aktualisht ka grup shumë të konsoliduar dhe forca e tij dominon qartazi. Kështu edhe atëhere, por sot dëshira e të gjithëve e mundi eksperiencën e rivalëve.

Cili nga këto tituj ka qenë më i veçantë për ju, si lojtar, apo tani pas 26 vitesh?
-Titulli është kulmi i karrierës për çdo futbollist, sidomos kur e fiton me një skuadër Legjendë si Partizani. Për ne atëhere ishin momente të vështira e thuajse të braktisur nga tifozeria, ndërsa sot tifozët treguan se e duan këtë skuadër të madhe, kështu si Kampion.

Pas disa viteve përpjekje, çfarë ndryshoi te Partizani këtë sezon që arriti të shpallej kampion?
-Trajneri Skënder Gega, si ish-trajner i Kombëtares U21 e vuri përvojën e tij me sukses në shërbim të ekipit. Ai i alternoi mirë moshën me eksperiencën, ku 50-60% e futbollistëve te Partizani janë në moshën deri 22 vjeç. Forca e grupit dhe boshti me kualitete, baza e suksesit.

Cilat i mendoni si pikat më të forta të Partizanit në këtë sezon: Në drejtim e menaxhim, në stol apo në fushë?
– Unë mendoj se organizimi, menaxhimi e drejtimi i Partizanit në vitet e fundit ka sjellë ndryshim shumë të madh. Nga Presidenti Gaz Demi, Drejtori Olsi Rama e deri te trajneri Skënder Gega, unë i veçoj si “tre moskëtierët” bazë të këtij titulli, pa harruar gjithë lojtarët.

Çfarë i duhet kësaj skuadre që të paraqitet me sukses në Ligën e Kampioneve për sezonin tjetër?
-Besoj se jo vetëm trajneri Gega, por të gjithë drejtuesit e Partizanit e kanë të qartë se çfarë i duhet kësaj skuadre për të qenë e suksesshme edhe në Europë. Grupi aktual është i mirë, por ndoshta duhet të presim kohën e merkatos, pasi aty do gjenden lojtarë cilësorë.

Në javën e 34-t Partizani luan me Teutën në Durrës, mendoni se do të lëshojë si deri më tani?
-Ndaj Teutës mund të ketë hapësira për lojtarë të rinj në moshë, por edhe ata që në ndeshjet e kaluara nuk janë aktivizuar shumë. Nuk them se kështu Partizani do lëshojë në këtë sfidë, por në të tilla situata kur titullin e ka në “xhep”, motivi zbehet për të qenë si deri në javën e 33-të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *