Brendan Roxhers nuk mundi të hakmerrej ndaj Mançester Sitit për titullin e humbur pesë vite më parë me Liverpulin.
Skuadra e teknikut nga Irlanda e Veriut kreu një paraqitje dinjitoze, por në fund Vinsent Kompani i dha avantazhin të tijve me një goditje nga një largësi i konsiderueshme. Në daljen për shtyp në përfundim të takimit, Roxhers deklaroi se skuadra e tij luajti shumë mirë ndaj skuadrës më të mirë në Europë.
“Më kënaqën shumë aspekte të lojës. Mendova se meritonim më shumë, por ishte një goditje e pabesueshme. Më jep shpresa për të ardhmen, skuadra tregoi personalitet ndaj një skuadre brilante, për mendimin skuadra më e mirë në Europë. Arritëm t’i hapnim disa probleme. Iheanaço pati një shans që duhet ta shënonte, një rast patëm, por duhej ta shënonte. Është një djalë i mirë, punon shumë fort në stërvitje, por s’ishte e thënë”.
“Urime Mançester Sitit, fituan ndeshjen me një gjuajte jashtë kësaj bote. Premier Liga është kampionati më i mirë në botë prandaj u riktheva. Kam një skuadër me potencial që mund ta përmirësoj”.