Java e 24-t e Kategorisë së Parë ka një sfidë delikate për skuadrën e Elbasanit, që renditet në vendin e fundit të zonës Play-out në Grupin B. Kjo mbetet një ndeshje e vështirë edhe për pogradecarët, që edhe pse kanë diferencë me pikë nga Elbasani dhe janë më larg rrezikut për mbijetesë, ndeshjen e ditës së dielë e vlerësojnë shumë delikate. Elbasani ka 9 pikë, 1 më pak nga Tomori e Turbina, që janë rivalët e verdhebluve.
Kapiteni i Pogradecit, Miklovan Pere, deklaron për SportEkspres.com se me Elbasanin është ndeshje e vështirë, si për pozitat që ka kundërshtari, ashtu edhe për synimet që ka ekipi liqenor. “Ndeshja me Elbasanin është delikate për këtë skuadër, ndërsa Pogradeci synon përforcimin e pozitave në krye të zonës Play-out në Grupin B. Ne nuk do bëjmë asnjë kompromis për rezultatin dhe do luajmë vetëm për fitore”.
Në këtë ndeshje te Pogradeci mungon vetëm Topllari i skualifikuar me kartonë, ndërsa pjesa tjetër e titullarëve do të jetë në fushë të dielën. “Ne si futbollistë ndjehemi profesionistë dhe duke qenë se drejtuesit tanë na mbështesin, do të zhvillojmë një garë të pastër e të ndershme deri në fundin e këtij kampionati”, theksoi kapiteni i Pogradecit.
AGRON KAJA