I tillë është futbolli: dikush feston i lumtur suksesin e ekipit të zemrës, ndërsa një tjetër vuan dhe nuk di me se çfarë bën. Disa tifozë të Junajtid kanë qenë në ekstazë pas kualifikimit dramatik të “Djajve të Kuq” kundër PSG në Francë.
Ata kanë festuar gjatë në stadium dhe më pas kanë marrë një taksi me destinacion qendrën e Parisit. Si anglezë që janë ata nuk kanë pushuar së kënduari, por diçka e tillë nuk i ka pëlqyer shoferit të taksisë.
Ky i fundit, me siguri tifoz i PSG, nuk ka duruar më dhe ka ndaluar makinën, duke urdhëruar tifozët “armiq” për të zbritur në tokë. Shoferi nxori dhe një thikë, duke ia drejtuar të vetmes femër në grupin prej katër vetësh të tifozëve anglezë, siç raporton “Sky Sport News”.
Një prej tyre i doli në mbrojtje, por shoferi ia nguli thikën në kraharor dhe u largua me shpejtësi me taksinë e tij. I plagosuri është 44 vjeç, ka kryer operacionin në kryeqytetin francez, ndërsa policia ka vepruar. Agresori ka përfunduar në pranga, por akoma nuk është gjetur thika, me të cilën goditi dhe rrezikoi jetën e tifozit anglez.