Zhoze Murinjo nuk dëshiron të nxitohet për t’u kthyer në stol. Portugezi po shijon pushimet, po studion dhe herë pas herë shfaqet dhe në rolin e opinionistit. Në një analizë për kanalin rus “RT”, trajneri i famshëm nuk i kursen thumbimet për Mançester Sitin. “Ata po zhvillojnë një sezon shumë të mirë, por sinqerisht mendoj se kanë shumë fat në short. Shikoni kundërshtarët e ndeshjeve në fazën e grupeve (Lion, Shaktar, Hofenhajm). Tani ju ra Shalke, të cilën do e eliminojnë dhe më pas do iu bjerë Ajaksi ose Porto”.
Murinjo komenton dhe të ardhmen e tij. Zërat e lidhin me një rikthim të Reali i Madridit, por trajneri luzitan nuk jep informacion. “Jam i qetë dhe nuk jam i dëshpëruar për t’u rikthyer. Po studioj dhe po bëj gjëra, që është e pamundur t’i bëj kur jam në rolin e trajnerit”. 56-vjeçari ndalet dhe te rezultati befasues mes Realit të Madridit dhe Ajaksit. “Harkëtarët” fituan 4-1 në Spanjë, rrëzuan nga froni pas tre vitesh Realin dhe merituan kualifikimin në çerekfinale.
“Ajaksi luajti fiks si në ndeshjen e parë, por në Holandë bënë dy gabime, që u shfrytëzuan nga Reali. Ata nuk kishin asgjë për të humbur dhe e futën Realin në vështirësi me golin e parë. Presioni kaloi te vendasit, ndërsa miqtë shënuan edhe golin e dytë. Reali reagoi dhe goditi dy herë shtyllën. Nëse topi i Varan do futej në rrjetë, mendoj se do ndryshonte rrjedha e lojës dhe Ajaksi do të kishte një mal të madh për të ngjitur. Kjo nuk ndodhi, ata luajtën shumë mirë dhe nuk patën fare frikë. Janë një ekip me djem të rinj, me qëndrimin e duhur në fushë dhe i ngulën gjilpërën në plagë Realit të Madridit”, përfundon Zhoze Murinjo.