Përjashtimi i Kamzës nga Kategoria Superiore ka lënë pa ekip lojtarët e kësaj skuadre. Situata bëhet akoma më e rëndë, pasi periudha e regjistrimeve është mbyllur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në pjesën dërrmuese të kampionateve “fqinje”.
E vetmja zgjidhje që lojtarët kanë për të vijuar karrierën në muajt e mbetur është që të transferohen në një kampionat ku periudha e regjistrimit është ende e hapur.
Opsionet janë të shumta, por me mijëra kilometra larg Shqipërisë. Kampionatet e vendeve skandinave si Suedia dhe Norvegjia janë një opsion. Gjithashtu dhe Estonia, Letonia, Ishujt Faroe dhe Islanda.
Pak më në jug, është kampionati bjellorus, ndërsa alternativa ka dhe në lindje, siç është Kazakistani dhe Gjeorgjia. Sigurisht ka dhe vende të Amerikës Jugore si Brazili, Uruguai, Bolivia. Këto të fundit janë alternativa mëse të volitshme për lojtarë si braziliani Arrabal që mund të rikthehet në vendlindje, ose argjentinasi Martinena. Gjithsesi për futbollistët e kombësisë shqiptare këto destinacione janë të pallogaritshme.