Juventusi bëri goditjen më të madhe të merkatos së verës një vit më parë, teksa transferoi për 100 milionë euro Kristiano Ronaldon nga Reali i Madridit. Lidhur me këtë transferim, ka folur pikërisht drejtori i Juventusit, Fabio Paratiçi. Ky i fundit ka zbuluar për mediat italiane, të gjithë detajet e transferimit të portugezit.
“Kur luajtëm në Madrid, Mendes erdhi te ne, siç ndodh zakonisht në ndeshjet e Championsit. I thashë atij që Ronaldo shënon gola të pabesueshëm. Mendes në atë moment u kthye nga unë dhe mu përgjigj: ‘Nuk do ta besosh, por në rast se Kristiano do të ndryshojë skuadër, ka dëshirë të bashkohet me Juventusit. Mbaje mend, është më pak e çuditshme nga sa duket. Do të flasim më vonë për këtë.’
Nisa të mendoj për atë gjë. Gjithsesi, më vonë e gjeta veten në një avion privat me Mendesin dhe Xhovani Brankini, duke mbyllur marrëveshjen për fenomenin Zhoao Kanselo.
Mendesi më pa përsëri. Tani e kuptova që e kishte seriozisht. ‘Mbaj mend dhe një gjë tjetër. Do ta shohësh Ronaldon të largohet nga Madridi. Po ta them hapur, që lojtari kërkon të firmosë për Juven. Ai ka luajtur për Mançester Junajtid, ekipi më i madh në Angli, më pas me Realin. Ronaldo luan vetëm me ekipet me histori. Nuk ka luajtur më parë në Itali dhe kërkon të fitojë dhe Serinë A. Nëse ju e doni, ai do të jetë këtu.
Në atë moment iu përgjigja: ‘Okej, më trego se për çfarë po flasim konkretisht’. Sigurisht, nuk e kisha harruar se çfarë më tha pak momente më parë dhe e doja Ronaldon te Juvja. Unë shkova në Madrid. ‘Kjo është paga, kjo është tarifa e transferimit’ , më thanë. I thash që të më linin disa ditë të mendoheshim dhe do të jepnim një përgjigje. Sigurisht që nuk i thamë jo, pasi ndryshe do të largohej diku tjetër.”