Rikthimi te trajningu dhe Superiorja, “linja” për Agustin Kolën

Këto ditë, edhe pse jo publikisht, FSHF-ja ka caktuar Agustin Kolën në drejtimin e Kombëtares së femrave të moshës deri në 17 vjeç. Për SportEkspres.com Kola e pranon këtë detyrë të re, ndërkohë që e mendon si më të përshtatshme për të punuar me këtë moshë. Njëherësh, ai komenton edhe situatën në Kategorinë Superiore, edhe pse në këtë kategori mendon se ka hyrë politika në mes.

Agustin Kola është një nga Legjendat e futbollit shqiptar, e në veçanti për Tiranën. Në karrierën e tij rreth 20-vjeçare në futbollin e elitës, Kola ka treguar grintë e nivel, duke lënë emër të madh.  Duke dalë nga “fidanishtja” e Shkëndijës së Tiranës, Agustin Kola më pas ka luajtur me 17 Nëntorin në 14 sezone, me Shkëndijën e Egaleos në Greqi, si dhe në 22 prezenca me Kombëtaren. Më pas ka qenë trajner te Shkumbini, Tirana, Kamza në Superiore, por ka drejtuar edhe të rinjtë e Tiranës dhe Mamurrasin në Kategorinë e Parë.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Agustin Kola do të jetë trajner i Kombëtares së femrave U17, sa i vërtetë është ky lajm?
-Po, është e vërtetë. Ka disa ditë që Presidenti i FSHF-së dhe drejtues të tjerë të saj më kanë afruar drejtimin e skuadrës sonë Kombëtare të femrave deri në 17 vjeç. Unë e quaj vlerësim e respekt dhe do të bëj maksimumin tim për të përgatitur një grup që ti shërbejë së ardhmes.

Pse pikërisht në futbollin e femrave, jeni “divorcuar” nga meshkujt?
-Unë nuk divorcohem asnjëherë me futbollin, pa nënvleftësuar nëse është te meshkujt apo te femrat. Këtu e mendoj veten më të lirshëm e të qetë në punë, sepse edhe vetë mosha e vajzave është e çiltër, në kuptimin e përkushtimit të tyre në fushën e lojës.

Çfarë do synoni në krye të kësaj kombëtareje në vazhdimësi?
-Së pari do më duhet që të bëj një përzgjedhje sa më cilësore, me vajza që e duan lojën e futbollit dhe i përkushtohen atij. Gradualisht do shikoj edhe rezultatet, ndërkohë që pasi të njihem me skuadrën mundet që të jap edhe një mendim më të plotë për situatën aktuale.

Cila është veprimtaria e radhës që ju mundëson edhe njohjen më të drejpërdrejtë me skuadrën?
-Në fillimin e muajit mars do të luajmë me Maltën, por më parë besoj se do të kem një grumbullim ku do të shoh përbërjen aktuale. Gjatë javës së ardhshme do të kem edhe një prezantim me drejtuesit e FSHF-së dhe aty do të përcaktojmë emrat që do të kem në dispozicion.

Po me futbollin e Kategorisë Superiore dhe me Tiranën, e vazhdoni ndjekshmërinë?
-Në fakt, nisur nga angazhimet që kam patur nuk e kam ndjekur shumë Kategorinë Superiore. Gjithsesi nuk kam patur interes shumë për ta ndjekur, pasi më duket sa ka hyrë në mes politika dhe ma ka bërë të vështirë të jem pranë këtij futbolli.

Gjithsesi, si e shikoni barazimin e djeshëm të Tiranës me Teutën?
-Një rezultat të mirë, sepse Teuta është një nga skuadrat më të mira të Kategorisë Superiore. Ka një skuadër solide dhe me lojtarë shumë cilësorë, ndaj barazimi për Tiranën është rezultat normal. Tiranës i duhet vazhdimësi me ndeshje të tilla si me Teutën.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *