Arbër Zeneli dhe Herenveni mund të mbyllin bashkëpunimin mes tyre dhe kjo zbulohet zyrtarisht nga klubi holandez që ka dalë me një njoftim në faqen zyrtare. Sulmuesi anësor, i cili kërkohej nga shumë klube evropiane, kryesisht në Turqi dhe Itali, mund ta vijojë karrierën me Reims në Francë.
“Arbër Zeneli mund të vazhdojë karrierën në Ligue 1. Sulmuesi ka leje për të udhëtuar në Francë dhe për të negociuar një kontratë me Stade de Reims. Kur klubi dhe lojtari të gjejnë marrëveshjen, Zeneli mund të largohet këtë dimër”, shkruhet në njoftimin e klubit holandez.
Sikurse kuptohet, gjithçka është në dorë të lojtarit. Zeneli do të jetë ai që do të vendosë për të ardhmen e tij. Nëse bindet, atëherë Reims do të jetë skuadra e tij e re. Marrëveshja mes klubeve është gjetur, ndërkohë që detajet nuk bëhen të ditura.