Ish-mesfushori i famshëm i Barcelonës dhe Mançester Sitit, Jaja Ture , ka zgjedhur formacionin më të mirë nga gjithë lojtarët me të cilët ka luajtur në karrierë dhe është një formacion fantastik, i tëri në sulm.
Afrikani ishte i ftuar në Monday Night Football në Sky Sport, për të komentuar ndeshjen Siti-Ulvs, ndërsa më pas zbuloi formacionin më të mirë të karrierës.
Portieri: Ederson
“Mendoj se është një ndër më të mirët që kam luajtur. Victor Valdes nuk ishte keq, por ishte portier mesatar dhe te Barça nuk kishte shumë punë”.
Mbrojtja: Rafa Markez, Vinsent Kompani, Karles Pujol
“Markez ishte një ndër mbrojtësit më të vështirë për ta mposhtur. Njerëzit nuk e mbajnë mend sepse nuk luajti në Angli, por nëse dëshiron ta kujtosh, duhet të hapësh YouTube dhe të shikosh si luante te Barcelona. Çfarë mbrojtësi! Ishte 10 herë më i mirë se Zherard Pike. Lojtarë të ngjashëm, por Pike ishte më i gjatë. Më besoni, Markez ishte 10 herë më i mirë, ishte fantastik, e adhuroja.
Kompani është kasafortë, e di që do fitosh nëse e ke në ekip. Është si traktor, e di që po mos ta përfshija në formacionin tim do më shkatërronte.
Edhe Pujol shte i jashtëzakonshëm, nuk e kapje dot topin kur luaje kundër tij. Duhej shumë punë e vuajtje për të fituar ndonjë duel”.
Mesfusha: Andres Iniesta, Lionel Mesi, Sergio Aguero, Leroj Sane, Thieri Henri
“Do të zgjedh Iniestan si mesfushor para mbrojtjes, sepse është i vetmi mesfushor që mund ta bëjë atë rol nga ata që preferoj. Më pëlqen që skuadra të sulmojë. Iniesta ishte lojtari më i vështirë për t’i rrëmbyer topin. Aguero mund të luajë në shumë pozicione, lëviz pa fund.
Kur Henri ishte tek Arsenali, mendoj se ishte një ndër sulmuuesit më të mirë në botë. Barcelona në atë kohë kishte Samuel Eto’o, Ronaldinjo, Mesi e Deko, ndaj kur Henrierdhi në Spanjë, ishte një lojtar normal. Në vitin 2009, kur fituam gjithçka, Henri ishte fenomenal”.
Sulmi: Didier Drogba, Samuel Eto’o
“Do zgjidhja këta të dy sepse kam luajtur me Eto’o te Barça dhe ishte alamet sulmuesi. Ishte i pabesueshëm dhe kam luajtur me Drogba në kombëtare, edhe ai i pamundur për t’u mbuluar.
Eto’o ishte i zgjuar, elegant në lëvizje, ndërsa Drogba kapte çdo kros, mund të shënonte në çdo mënyrë, ishte i shkëlqyer.
Toure si trajner
“Po të isha manaxher, do luaja me një skemë të tillë, për t’i mbajtur kundërshtarët sa më larg portës sime. Do zgjidhja lojtarë të aftë të kontrollojnë ndeshjen. Ndonjëherë, kur sheh ndeshjet, mund të dallosh gropat mes reparteve. Unë i adhuroj lojtarët e zgjuar, futbolli duhet të shërbejë për t’i zbavitur tifozët dhe në fund të fitosh me shumë gola diferencë”.