Pasditja e 6 janarit do të kujtohet gjatë nga Pit Uajlld. Fërshëllima e trefishtë e arbitrit kryesor të ndeshjes, njoftonte fundin e takimit Fulhem-Oldham. Rezultati që shkruhej në tabelën elektronike, tregonte shifrat 1-2. Ekipi i “League Two” (kategoria e katërt angleze nga rëndësia), eliminon një ekip të Premier Ligës.
Nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë, por veçantia e kësaj historie, është pikërisht te personi që kemi përmendur më lart, Pit Uajlld. Prej 28 dhjetorit të vitit që lam pas, anglezi është trajner i klubit të Oldhamit. Që në moshën 5-vjeçare, Uajlld sheh rregullisht çdo ndeshje të Oldhamit dhe është një tifoz i çmendur.
Tashmë, në moshën 33-vjeçare, plot 28 vite më vonë, është në krye të pankinës së klubit që dashuron. Gjithsesi, ëndrra e tij nuk përfundoi me kaq, pasi fati i kishte rezervuar një lavdi, që ndoshta edhe vetë Pit, nuk do ta kishte imagjinuar. E marrim historinë nga fillimi dhe kthehemi vetëm disa ditë më parë, konkretisht në 26 dhjetorin e vitit të kaluar.
Oldham luan kundër Karlis Junajtid në transfertë dhe humbet me shifrat 6-0. Drejtuesit, me të drejtë shkarkojnë trajnerin Frenki Ban dhe në krye të ekipit, vendoset, një njeri që kishte vite që kontribuonte për klubin, si trajner moshash, por jo vetëm. Pikërisht, Pit Uajlld.
Debutimi i Uajlld në krye të Oldhamit nuk mund të shkonte më mirë, teksa triumfoi në transfertë ndaj Port Vales me shifrat 1-4. Kohë për t’u gëzuar nuk kishte, pasi tre ditë më vonë e priste një tjetër ndeshje, këtë radhë në shtëpi ndaj Nots Kauntit. Të zotët e shtëpisë nuk gabojnë dhe marrin një tjetër triumf, këtë herë me shifrat 2-0.
Pas sfidës ndaj Nots Kauntit, vinte përballja në skenën e madhe të “FA Cup”, pasi në Angli, formula e kupës është e tillë që edhe ekipe të vogla si Oldham, të kenë mundësi të ndeshen me ekipe të Premier Ligës. Shorti, prej kohësh i kishte rezervuar ekipit nga “League Two”, një sfidë “luksi”, ndaj Fulhemit, që këtë vit luan në Premier Ligë.
Në kohën kur shorti i rezervoi një kundërshtar si Fulhemi, tifozi Pit Uajlld, i cili kurrsesi nuk linte ndeshje pa e parë, menjëherë mori biletë për atë ndeshje. Tanimë, atë biletë Uajlld nuk dihet kujt mund t’ia ketë dhuruar, pasi sfidën do të duhet ta “ndiqte” nga stoli, si trajner i ekipit të tij të zemrës. Pjesa e parë shkon mirë për “diletantët” e Oldhamit. Barazim në fushën e Fulhemit, jo keq.
Fraksioni i dytë, nis i hidhur për miqtë, pasi Fulhemi kalon në avantazh në minutën e 52-të. Gjithsesi, Oldham nuk e ul kokën, por gjen forcë dhe në minutën e 76-të barazon çdo gjë me anë të Surrixh. Më pas, dy minuta përpara fundit, Lang çon në qiellin e shtatë ekipin e tij, teksa shënon golin e fitores. Oldhami kalon më tej në “FA Cup”, duke eliminuar Fulhemin.
The caretaker manager of Oldham Pete Wild is my new favourite person pic.twitter.com/PaxyDnC7A9
— The Football Hub (@TheFootbaIlHub) January 6, 2019
Në fundin e takimit, trajneri i Oldhamit foli shkurt për mediat, duke u shfaqur mjaft i lumtur për kalimin më tej. Ekipi i tij, arritjen më të madhe në “FA Cup” e ka në vitet 1990 dhe 1994, ku në ato kohë shkonte deri në gjysmëfinale, por në të dyja rastet ka qenë Mançester Junajtid, që e ka eliminuar.
“Dua Mançester Junajtid në shortin e raundit të radhës. Ata më kanë shkatërruar fëmijërinë në vitet 90”, ishin fjalët e numrit një të stolit të Oldham. Të hysh në librat e historisë është diçka që duket e vështirë, por për Pit Uajlld, mjaftuan vetëm 10 ditë…
ERDI KËRÇIKU