Armando Sadiku ende nuk ka luajtur për këtë sezon, pasi dëmtimi i pësuar në gju në miqësoren kundër Herenven në verë e ka penalizuar sulmuesin. Futbollisti i kombëtares shqiptare mund të rikthehet të luajë në mars, ndërkohë që Levante duhet të marrë një vendim për të.
Mediat spanjolle raportojnë se ofertat për të dhe disa lojtarë të tjerë nuk mungojnë. I duan në Segunda, por edhe në liga të tjera dhe spanjollët do tentojnë t’u gjejnë ekip për të shpëtuar edhe nga paga e që kanë Sadiku dhe disa lojtarë të tjerë.
Ndërkohë Lugano në Zvicër i ka hapur dyert për Sadikun. Klubi zviceran sigurisht nuk mund ta paguajë të plotë pagën që sulmuesi merr te Levante dhe kjo është një pengesë. Por drejtori sportiv Xhovani Mana tregon se shanset ekzistojnë.
“Armando është një lojtar që na pëlqen. E dimë çfarë mund të bëjë dhe se sa i fortë është mendërisht, edhe pse së fundmi ka pasur një dëmtim të rëndë. Por ka aspekte të ndryshme që duhen marrë parasysh. I pari është ai ekonomik, por edhe vetë vullneti i lojtarit. I dyti bën edhe diferencën”, është shprehur drejtori sportiv i Luganos për “ticinonews.ch”.