Kukësi është gati për ndeshjen kundër Partizanit. Dueli i titullit zhvillohet të premten në orën 18:00, ndërsa diferenca mes ekipeve është 5 pikë. Të kuqtë e Gegës vazhdojnë kryesimin, ndërsa ekipi i Cungut kërkon fitoren e madhe.
Rrahman Hallaçi, zëvendëstrajneri i ekipit verilindor, ka folur në konferencën për shtyp. 35-vjeçari vari këpucët në gozhdë në fundin e sezonit të kaluar dhe ka nisur punën si ndihmës i Cungut. Ish-kapiteni kuksiane ka luajtur me të dyja ekipet, vlerëson përballjen dhe tregon objektivin e tij për këtë ndeshje.
DUELI – “Nuk mund të themi se është ndeshja e titullit, por është një ndeshje vendimtare, edhe pse ka ende shumë takime për t’u luajtur. Jemi në një moment të mirë, pasi vijmë pas një fitoreje me një kundërshtar direkt dhe me mjaft të fortë si Skënderbeu. Kemi bërë ndeshje shumë të mira. Kemi arritur të dalim aty ku duhet si me lojë ashtu dhe me rezultat. Duhet të jemi shuam të kujdesshëm ndaj Partizanit, pasi nuk duam që të krijomë distancë me pikë. Kemi shumë mundësi për ta ngushur këtë diferencë.”
Ju keni luajtur vetë më parë me Partizanin, mund të thuhet se e njihni disi filozofinë e këtij klubi?
-Kam luajtur shumë kohë më parë me Partizanin. E kemi studiuar kundërshtarin dhe e dimë se janë shumë të kujdesshëm. Edhe pse mund të dalin jo shumë herë para porte, arrijnë të shënojnë dhe më pas është shumë e vështirë t’u shënosh gol. I dimë ato pak pika të dobëta që ata kane. Ju mungon një lojtar kryesor, por kjo nuk do të thotë asgjë për ta, sepse ata janë përgatitur për të ecur përpara ashtu siç jemi përgatitur dhe ne, pasi kanë shumë lojtarë në organikë.
Një humbje me Partizanin, mund t’u nxjerrë jashtë garës për titull?
-Nuk e mendojmë që do të humbim ndeshjen, por thashë që nuk duam që të krijojmë shkëputjen. Them se është momenti më i mirë, pasi tani duhet të tregojmë veten, tani që e kemi më pranë me pikë. Do ja lëmë rrugës se kush do të arrijë në finish i pari.
Presioni është në anën tuaj apo në anën e Partizanit?
-Nuk mendoj se ka presion Kukësi apo Partizani. Është një ndeshje mes dy skuadrave që kanë vite që investojnë pa fund për të shkuar te titulli kampion. Partizani ka shumë vite dhe ka besimin e madh se do të shkojë te titulli, por edhe ne duam me patjetër që duam titullin. Kjo nuk do të thotë se kemi presion. Është ndeshja e radhës, që duhet vlerësuar dhe kaq.
Si është situata në skuadër?
-Kemi pasur dëmtime, por pjesa kryesore është rikthyer, Vijon që të jetë në fazë rikuperimi Tigruxha, i cili do të mungojë dhe për këtë takim. Kemi Dzarian me kartonë, por kemi të tjerët të gatshëm për të luajtur dhe nuk them se kemi probleme.
I keni marrë masat për këtë takim?
-Në ndeshjen e parë krijuam shumë raste, ndërsa Partizani u tregua cinik, arriti të shënonte dhe u bë e vështirë për ne që të shënonim më pas. Nuk do ta bëjmë më atë ndeshje, do të kemi më të kujdesshëm dhe do të tregohemi më të vëmendshëm dhe kur të dalim para porte të shënojmë. Në ndeshjen e parë dolëm 7-8 herë para porte dhe nuk shënuam. I kemi menduar mirë këto gjëra. Partizani do të ketë shumë të vështirë këtë radhë me ne. Kanë pikat e tyre kryesore nga krahët, u mungon lojtari kryesor, por kanë lojtarë të tjerë.
A ju kënaq barazimi në këtë ndeshje?
-Ne si Kukës nuk hymë për barazim, pasi vetë investimi nuk ta lejon që të futemi për barazim në një ndeshje. Ne do të futemi për të marrë fitoren. Duhet të shohim ndeshjen në fushën e blertë.
Si do jetë një ndeshje pa tifozë?
-Ne do kishim dëshirë të ishin tifozët e Partizanit dhe tonët. Edhe nëse do ishin më shumë tifozë të Partizanit, nuk do ishte problem, pasi lojtarët duan që të kenë sa më shumë tifozë. problemi është të jetë i mbushur, pasi do të jetë një ambient në gjumë. i kemi marrë masat dhe për këto gjëra.