Mbyllja e këtij sezoni do të shënojë edhe fundin e një epoke te Bajerni i Mynihut: Arjen Roben dhe Frenk Riberi do të largohet nga gjigandët gjermane. Dy yjet e futbollit kanë njoftuar se në fund të sezonit do ti japin lamtumirën skuadrës, ndërsa e ardhmja e tyre është ende e paqartë.
Si për Roben, ashtu edhe për Riberi, largimi nga futbolli është një hipotezë. Megjithatë, në Itali ëndërrojnë se dy lojtarët që kanë shkruar një histori suksesi te Bajerni, mund të vendosin ta zgjasin qëndrimin e tyre në fushë dhe pse jo, të luajnë në Serinë A. Roben do të festojë 35-vjetorin gjatë verës së ardhshme dhe pavarësisht dëmtimeve, fiziku i tij mund ta përballojë edhe një sezon në nivele të larta.
Holandezi mbetet vendimtar te Bajerni dhe këtë e konfirmoi në ndeshjen e fundit të Champions kundër Benfikës, ku realizoi dy gola të shkëlqyer. Rroga e tij e lartë mbetet problem, edhe pse në një klub të ri ajo mund të reduktohej në mënyrë të dukshme, krahasuar me 10 milionë eurot që përfiton aktualisht dhe afrimi me parametër zero do të ishte një goditje e madhe.
Situatë e ngjashme edhe për Riberi: francezi do të festojë 36-vjetorin e lindjes në muajin prill dhe pavarësisht se forma e fundit nuk ka qenë më e mira, niveli dhe cilësitë e tij nuk diskutohen. Milani, Napoli, por edhe Interi kanë nisur të monitorojnë situatën, edhe sepse këtyre skuadrave do t’u shërbenin sulmues krahu, në gjendje që të bëjnë diferencën në fushë.