VIDEO | Një “fëmijë” turpëron Bajernin, Kovaç në fije të perit

Borusia e Dortmundit nuk ndalet dhe arrin fitoren e radhës. Verdhezinjtë triumfuan me rezultatin 1-2 përballë Maincit në transfertë duke vazhduar kryesimin e Bundesligës me 30 pikë. Pjesa e parë nuk pati gola, ndërsa gjithçka ndodhi në 45 minutat e dyta të ndeshjes. Pako Alkaser e festoi me gol qëndrimin dhe rinovimin me Dortmundin, duke kaluar ekipin e tij në avantazh në minutën e 67.

Spanjolli shfrytëzoi një pasim të Rojs dhe nuk e pati të vështirë të shënonte. Vendasit barazuan pas 3 minutash me anë të Kuaizon, por Dortmundi nuk e kishte thënë akoma fjalën e fundit. Polaku Pizçek gjeti golin e fitores 14 minuta nga fundit, pas një sulmi të gjatë të ekipit të Favre. Gol shumë i bukur i polakut dhe Dortmundi marshon drejt titullit kampion.

 

Që Bajerni i Mynihut nuk ndodhet në formë të mirë, dihej prej ditësh, ndërsa Dyseldorfi i rezervoi një surprizë të hidhur ekipit bavarez. Barazim i “çmendur” 3-3 në “Allianz Arena”, me Dodi Lukebakio autor i një tripletë për miqtë. Shyle dhe Myler me anë të një dygolëshi ishin autorët e golave për ekipin e Niko Kovaç, ndërsa 21-vjeçari belg zhvilloi ndeshjen më të mirë të karrierës së tij, duke mposhtur tre herë Nojerin dhe duke i hequr fitoren Bajernit në minutën e tretë shtesë të takimit.

Në ndeshjet e tjera bie në sy fitorja në transfertë e Ajntrahtit. Ekipi nga Frankfuri po përjeton një periudhë fantastike dhe ky trepikësh e ngjit në vendin e dytë, 7 pikë poshtë Dortmundit. Barazim spektakolar 3-3 mes Hertës së Berlinit dhe Hofenhajmit, ndërsa Volfsburgut i mjaftoi një gol për të mposhtur Laipcigun.

Augsburg-Ajntraht Frankfurt 1-3
(Kordova 90’ / de Guzman 1’, Haler 47’, Rebiç 68’)

Bajern Mynih-Dyseldorf 3-3
(Shyle 17, Myler 20’, 58’ / Lukebakio 44’, 78’, 93’)

Herta Berlin-Hofenhajm 3-3
(Ibisheviç 12’, Leki 71’, Lazaro 87’ / Demirbei 1’, Kramariç 10’, Biçakçiç 55’)

Mainc-Dortmund 1-3
(Kuaizon 70’ / Alkaser 67’, Pizçek 76’)

Volfsburg-Laipcig 1-0
(Rousilon 50’)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *