Juventusi mesazh Xhenoas për “bomberin” e Serisë A

Për javë me radhë ka qenë në faqet e para të gazetave dhe në vemendjen e të gjitha mediave. Më pas, golat nisën “të shteronin” dhe vëmendja ndaj Kristof Piatek ishte në rënie. Megjithatë, “bomberi” i Xhenoas mbetet golashënuesi më i mirë i Serisë A.

Largimi nga stoli i Balardinit nuk e ndihmoi, ashtu si edhe kalendari i vështirë. Piatek kërkon të rigjejë golat, e ndërkohë, diçka ka ndryshuar në merkato. Juventusi, klubi i cili ishte shfaqur si më aktivi rreth polakut, e ka zbehur interesin.

Bardhezinjtë i kanë bërë të ditur Xhenoas, se nuk kanë ndërmend të paguajnë shifrat e larta të pretenduara për kartonin e sulmuesit. Vendimi është marrë nga Paratiçi, edhe sepse Piatek është shfaqur në vështirësi në ndeshjet kundër rivalëve më të fortë. Juventusi e ndjek futbollistin, por nuk ka ofruar 30-35 milionë eurot e pretenduara.

Kampionët e Italisë nuk kanë ndërmend të paguajnë këtë çmim për kartonin. Kjo edhe për faktin se Piatek cilësohet vetëm si një alternativë në merkato dhe jo një domosdoshmëri, për të cilin duhen bërë sakrifica ekonomike. Një mesazh i qartë për presidentin Preciozi: nëse mund të diskutohet rreth shifrave më të ulëta, apo përfshirjen e lojtarëve në marrëveshje, atëherë klubet mund të ulen në tryezë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *