Skandal në tenis, me Italinë në qendër të vëmendjes. Daniele Braçiali është përjashtuar përjetësisht nga tenisi dhe është gjobitur me 250 mijë dollarë, pasi është shpallur fajtor për trukime.
Tashmë 40 vjeç, Braçiali është dënuar nga Tennis Integrity Unit, organ i themeluar nga Grand Slam Board, i Federatës Ndërkombëtare të Tenisit.
Vendimi u dha sot, pas udiencës mbajtur në Londër më 18-19 shtator. Tenisti italian u shpall fajtor për trukim të disa ndeshjeve për Atp 500 World Tour, luajtur në Barcelonë në vitin 2011.
Braçiali, numri 46 në botë në 2006, jo vetëm që akuzohet për pjesëmarrje në trukim, por edhe për organizim të xhiros së basteve ilegale. Dënimi mbyll karrierën e italianit, i cili nuk do të lejohet as të futet si spektator në turnetë e tenisit.
STARAÇE – Me një vendim të veçuar, është dënuar edhe tenisti tjetër i njohur italian Potito Staraçe, shok i ngushtë i Braçialit.
Staraçe është dënuar me 10 vite dhe është gjobitur me 100 mijë dollarë. Italiani, tashmë 37 vjeç, ishte numri 27 në botë në vitin 2007.
Të dy tenistët ka vite që gjykohen në Itali, por aty ka qenë një kaos total dhe zvarritje pa fund, me dënime e anulim dënimi me apel, ndaj federata ndërkombëtare e tenisit i ka dhënë fund vetë.