Një skandal i madh është publikuar së fundmi, teksa sulmuesi i Suedisë, Markus Berg, ka treguar për mediat e vendit të tij se gjyqtari rumun Istvan Kovaç i kishte premtuar këtij të fundit se do i jepte 2 penallti në pjesën e dytë. Në fund, Turqia u mund minimalisht në shtëpi dhe goli i suedezëve u shënua me 11-metërsh në minutën e 71-të.
Lojtari i Suedisë veçon bisedën që ka pasur me arbitrin, teksa në pushimin e ndeshjes kishte folur më këtë të fundit duke i shfaqur kontestimet e tij për një rast të diskutueshëm në pjesën e parë.
“Në pushimin e ndeshjes shkova tek arbitri të protestoja, sepse mendoja se duhej të më ishte dhënë një penallti në favor. Ia bëra të qartë mendimin tim dhe më tha: ‘Do shoh pamjet filmike dhe nëse vërtet kam gabuar, do të jap dy penallti në pjesën e dytë’”, ka thënë Berg.
Kaq ka mjaftuar që Turqia të protestojë në UEFA, duke kërkuar që ndeshja të përsëritet, pasi gjyqtari ka ndikuar në rezultatin e ndeshjes, por ka nisur dhe proceduarat gjyqësore ndaj arbitrit. Një skandal i madh, pasi nëse do të vërtetohet do të ishte vërtetë e paprecedentë.