Ardian Ismajli ka vendosur të flasë. Shqipërinë e ka zgjedhur prej kohësh. Para gjashtë muajsh mori një telefonatë nga Kristian Panuçi dhe mbrojtësi i Hajdukut të Splitit i dha fjalën italianit për të veshur fanellën kuqezi.
Këtë e tregon në një intervistë të dhënë për “24sata.hr”, teksa fillimisht është shprehur: “Menjëherë pas telefonatës së Panuçit vendosa të luaj për Shqipërinë në të ardhmen, por nuk doja të lija shokët te Kosova U21 deri në përfundim të kualifikueseve. Isha kapiteni dhe lojtari më i mirë, ndaj nuk do të kishte qenë vendim i mirë t’i lija ata në baltë”.
Ismajli thekson se është i sigurt për vendimin që ka marrë dhe ka marrë aprovimin nga familja e tij. “Ne jemi një komb, shpresoj që së shpejti të bashkohemi në një shtet, por kemi ekipe të ndryshme. Shqipëria është më e mirë dhe më ofron mua më shumë mundësi për t’u promovuar. Veç të tjerave, unë kam luajtur për Kosovën U21… Ky ishte motivi kryesor për vendimin e marrë, që kishte edhe mbështetjen e prindërve të mi. Disa gazetarë dhe tifozë më kritikojnë mua, duke pretenduar se nuk do të ketë vend për mua te kombëtarja shqiptare për shkak se nuk kam luajtur shumë te Hajduku. Por unë jam i bindur dhe i sigurt për vendimin që kam marrë. Unë jam gati që të luaj që kundër Skocisë në Nations League”, shtoi mbrojtësi nga Prishtina.
PROBLEMET NË KROACI– “Në jetën time kam vuajtur shumë, por Zoti më ka dhënë forcë për të punuar dhe qetësi. Gjithmonë kam qenë profesionist, duke i realizuar mirë detyrat e mia, por Kopiç nuk kishte besim tek unë. I jam mirënjohës trajnerit Vuliç, i cili më mbështeti që nga dita e parë. Diskutuam shumë bashkë dhe më premtoi që do të më jepte një shans. Shpresoj ta kem justifikuar besimin e tij”.
Ismajli tregon se i kishte kërkuar trajnerit Kopiç së nëse nuk e kishte në plane ta linte të shkonte në një ekip tjetër ku mund të luante. Mbrojtësi rrëfen momentin e vështirë: “Kam qenë në depresion, por e kam përballuar këtë situatë me ndihmën e prindërve, sidomos të babait tim. Ai më inkurajoi të jem i durueshëm, të stërvitem dhe të pres mundësinë time. Tani ajo u shfaq”.
Për lojtarin më të ri të kombëtares ka pasur kritika për faktin se është disi agresiv, gjë që konsiderohet normale prej tij: “Kjo është puna ime, unë jam një mbrojtës”. Me trajnerin Vuliç situata ka ndryshuar dhe tani po grumbullohet me Hajdukun. “U luta për këtë mundësi dhe perëndia iu përgjigj lutjeve të mia”.
E ARDHMJA – Në fund Ismajli flet edhe për të ardhmen e tij: “Doja të largohesha, por tani është një situatë krejtësisht e re. Do të shoh se çfarë do të vendosin klubi dhe trajneri. Jam këtu për të bërë më të mirën tim dhe për të ndihmuar ekipin sa më shumë të mundëm”.