Bastet sportive, tentohet dialog me qeverinë

Qeveria Shqiptare kërkon të mbyllë Bastet Sportive, çka bën që të preken kompanitë e licencuara për të ushtruar një aktivitet të tillë. Mbyllja e tyre do shkaktonte një reaksion zinxhir që do të sillte daljen të papunë të shumë qytetarëve.

Momentalisht numri i pikave të basteve në vend shkon në 4 mijë, shifër realisht e lartë. Por kompanitë e Basteve janë gati që brenda një viti ta përgjysmojnë këtë shifër, ndërkohë që në vazhdimësi të vijojë të ulet sërish numri.

Artan Shyti, kryetari i Shoqatës së Basteve Sportive, është shfaqur sot para mediave dhe ka kërkuar një takim me qeverinë.  “Propozimi ndaj qeverisë është implementimi i ligjit për basteve sportive, hartuar që në fillim të vitit. Aty përfshihet reduktimi gradual i pikave të basteve në Shqipëri, derisa të arrihet në një numër normal për vendin tonë. Edhe reklamat për kompanitë e basteve janë eliminuar me vullnetin e kompanive”, u shpreh Shyti.

Ai theksoi se janë gati të bashkëpunojnë me institucionet shtetërore për të evidentuar gjithë problematikat: “Do donim shumë që të studiohet mirë ky propozim për të dalë nga ky ngërç, sepse bëhet fjalë për një vendim madhor dhe që ka pasoja të rënda sociale. Jemi të gatshëm për bashkëpunim, ashtu si deri më sot, për të punuar për arritjen e një marrëveshjeje që do të vendosë ekuilibra pa krijuar problematika madhore”, tha Shyti.

PROTESTA – “Nuk është e organizuar nga Shoqata, është një tubim i njerëzve që preken direkt nga ky vendim i nxituar dhe pa bazë ligjore. Janë të paktën 8.000 persona që humbasin vendin e punës dhe nuk është normale që të veprohet në këtë mënyrë, duke urdhëruar mbylljen e gjithçkaje”.

HAPAT E MËTEJSHËM – “Ne shpresojmë që të ketë dialog, por natyrisht nëse nuk ka asnjë hap pas nga qeveria, bizneset e goditura nga ky vendim do të ndërmarrin hapat ligjore për t’u mbrojtur, nga gjykatat e deri në organet ndërkombëtare”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *