Masa e parë, Turan gjobitet nga Bashakshehiri

Arda Turan është në telashe pas sherrit që bëri në një diskotekë para pak ditësh, ndërkohë që u filmua edhe me një armë në spital. Mesfushori i Bashakshehir rrezikon të marrë një dënim shembullor nga drejtësia.

Ai mund të dënohet deri në 12 vite burg. Nga ana tjetër klubi turk i mesfushorit ka marrë masa ndaj tij, teksa fillimisht e ka gjobitur me shumën e 360 mijë eurove. Në varësi të vendimit të Gjykatës do të përshkallëzohen masat e Bashakshehir ndaj Arda Turan.

ÇFARË NDODHI – Para pak ditësh futbollisti i kombëtares turke u përfshi në një konflikt me një këngëtar turk, Berkaj Shahin, të cilit i ngacmoi bashkëshorten. Sherri në një klub nate degjeneroi në dhunë fizike, ndërsa më pas Arda shkoi i armatosur në spital, ku debatoi sërish me Berkaj duke qëlluar një herë drejt dyshemesë.

Tani Arda Turan ka mësuar akuzat që rëndojnë ndaj tij: ngacmim seksual, armëmbajtje pa leje dhe dhunë fizike. Edhe Berkaj rrezikon 2 vite burg. Shpresa e Turan është që të përfitojë nga statusi i tij prej futbollisti me më shumë se 100 ndeshje me kombëtaren, por mbi të gjitha nga fakti se është një mbështetës i deklaruar i presidentit Rexhep Tajip Erdogan, duke dalë edhe në mitingjet e “sulltanit” turk.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *