Kastriot Dermaku ishte një prej befasive të listës së Kristian Panuçi, për miqësoren me Jordaninë dhe ndeshjen zyrtare me Izraelin. Vendimi i mbrojtësit për t’u veshur kuqezi, befasoi shumë njerëz. Mbi të gjitha prej faktit se në shtator ishte i grumbulluar me Kosovën për ndeshjet në Ligën e Kombeve.
Një vendim i ardhur ndoshta prej faktit, që nuk luajti në ndeshjen me Azerbajxhanin, ku qëndroi vetëm në stol. Trajneri i Kosovës, Bernard Shaland nuk di të japë një përgjigje të saktë rreth 26-vjeçarit, por tregoi prapaskenën e largimit të mbrojtësit nga “Dardanët”, duke mos e fshehur zemërimin.
“Isha pak i befasuar, pas ndeshjes së parë ai donte të kthehej në Itali. Tani me këtë situatë jam pak i zemëruar. Kemi folur pak kohë më parë me Kastriotin, mejithatë ai nuk ishte i vendosur dhe kërkonte kohë. Por, përse ta prisnim… për të kaluar Shqipëria?!”, ishin fjalët e trajnerit të përfaqësueses së Kosovës.
Gjithsesi, Shaland nuk i’a mbylli përfundimisht derën Demarkut për ndeshjet e nëntorit, edhe pse tashmë gjithçka është në dorën e Panuçit. Aktivizimi i mbrojtësit në ndeshje zyrtare me kuqezinjtë, do t’a bënte përfundimisht lojtar të Shqipërisë. “Në fund është vendimi i Dermakut, megjithatë nuk mund të them nëse ai do ta ketë derën të mbyllur”, ishin fjalët e teknikut.