Një emër i madh i futbollit anglez dhe atij europian është tërhequr nga futbolli. Xhon Terri ka vendosur të varë këpucët në gozhdë, ndërsa ka shkruar një koment në rrjetet sociale.
Falenderime për të gjithë si një kapiten i vërtetë nga ana e mbrojtësit, duke filluar nga Çelsi, klubi i tij i zemrës, ku kaloi 11 sezone si profesionist, por dhe klubet e Notingam Forest dhe Aston Vila, me të cilët ka përjetuar eksperienca të shkurtra.
E ardhmja është pankina, por Terri nuk e ka ndarë akoma mendjen, nëse do të marrë drejtimin e ekipit U23 të Çelsit, apo do t’i bashkohet francezit Tieri Henri në stolin e Aston Vilës.
“Pas një karriere të gjatë prej 23-vitesh vendosa t’i them lamtumirë futbollit të luajtur. Më duhet të falënderoj shumë persona: gruan time Tori, fëmijët e mi Samer dhe Xhorxhi, prindërit e mi dhe vëllain tim. Pa sakrificat e tyre, këshillat dhe dashurinë, asgjë nuk do të ishte e mundur. Në moshën 14-vjeçare bëra zgjedhjen për të firmosur me Çelsin. Nuk e harroj kurrë mbështetjen e tyre. Nga drejtuesit te tifozët, keni qenë më të mirët në botë. Falënderoj trajnerët, presidentët dhe shokët e skuadrës me të cilët kam ndarë 717 ndeshjet e mia. Ka qenë një nder të jem kapiten. Falënderoj dhe Notingam Forest dhe Aston Vilën. Tani fillon një kapitull i ri i jetës time dhe jam gati për sfidat e reja”, përfundon 37-vjeçari, i cili ka fituar pesë herë Premier Ligën, katër kupa të Anglisë, tre kupa të Ligës angleze, një Champions Ligëd dhe një Europa League.