Dueli më i madh në histori, MekGregor dhe Khabib peshohen në Las Vegas

Dueli më i madh në historinë e Ultimate Fighting Championship (UFC) është gati. Konor MekGregor dhe Khabib Nurmagomedov janë peshuar përpara supersfidës që do të zhvillohet në Las Vegas. Luftëtari rus, arriti që të binte në peshë, për të plotësuar kriteret e duelit, duke qenë diçka më tepër se 70 kilogramë.

Ai u paraqit i vetëm në peshore, ndërsa më pas peshimin zyrtar e kreu edhe MekGregor. “Irlandezi i çmendur” do të kthehet në “T-Mobile Arena” pas afro dy viteve mungesë, periudhë në të cilën ka dueluar me boksierin Floid Meiuedhër. Pritshmëritë për këtë sfidë janë të mëdha, ashtu si edhe tensioni.

Në konferencën zyrtare opër shtyp të ditës së enjte, paraqitja me 30 minuta vonesë e MekGregor e zemëroi rivalin e tij rus, i cili bëri deklaratat e tij dhe më pas braktisi sallën, duke u shprehur se nuk do të priste askënd. As justifikimi i MekGregor se fajin për vonesën e kishte trafiku nuk shërbeu.

Dueli do të zhvillohet në një sallë të mbushur me kapacitet të plotë, gjatë natës ndërmjet të shtunës së 6 tetorit dhe të dielës së datës 7, në orën 4 shqiptare. Kjo është një prej ndeshjeve me pritshmërinë më të madhe në historinë 25-vjeçare të UFC, organizata më e famshme në nivel botëror për promovimin e Arteve Marciale Mikse (MMA).

Kampioni në fuqi dhe i pamposhtur në ring, Konor MekGregor do të sfidohet nga Khabib Nurmagomedov. Sfida për titullin botëror të peshave të lehta është ajo që të gjithë tifozët presin me padurim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *