Të dielën luhet një prej dueleve më spektakolarë dhe njëkohësisht më të rëndësishëm në Premier Ligë. Liverpuli sfidon Mançester Sitin në duelin për titullin, por edhe për të nisur shkëputjen nga rivalët. Jurgen Klop përballet me Pep Guardiolën.
“Reds” dhe trajneri gjerman kërkojnë të lënë pas krahëve humbjen me Napolin në Champions League. Klop deklaroi: “E kam të qartë atë që nuk funksionoi me Napolin dhe e di si duhet ta rregullojmë. Kemi punuar shumë gjatë këtyre ditëve, askush nuk dëshironte të humbisnim. Por, ndoshta humbja është mënyra më e mirë për të përgatitur një ndeshje, sepse askush nuk dëshiron ta provojë sërish atë ndjesi”.
Trajneri i Liverpulit i ka të qarta vështirësitë e përballjes, ndërsa dha edhe lajme të mira për gjendjen e Keita: “Do të jetë e vështirë, ndeshjet me Sitin janë gjithmonë të tilla. Duhet të japim maksimumin për ti mbajtur larg portës tonë dhe ti vendosim në vështirësi duke krijuar raste për shënim. Gjendja e Keita? Pati probleme në shpinë, përpara ndeshjes do të vendosim nëse do të jetë në gjendje që të luajë”.
Për Pep Guardiolën në anën tjetër, Klop është një “mace e zezë”, duke nisur nga duelet e tyre në Bundesligën gjermane, ku me Borusian e Dortmundit i ka shkaktuar jo pak probleme Bajernit: “Janë ekipet ato që i fitojnë ndeshjet! Nuk luaj unë kundër Klopit, por Mançester Siti ndaj Liverpulit. Ata janë një skuadër që meritojnë komplimente. Pavarësisht humbjes ndaj Napolit, e cila erdhi për meritë të kualitetit të italianëve, nuk besim se janë në krizë dhe do ti sulmojmë. Do të bëjmë lojën tonë, duke zotëruar topin dhe me kujdes në mbrojtje”.
Përsa i takon ngacmimeve nëse ky do të jetë një duel që do të vendosë fatet e titullit në kampionatin anglez, të dy trajnerët u shfaqën të balancuar. Si Klop, ashtu edhe Guardiola nuk preferuan të flasin për titullin që në këtë pikë të edicionit: “Sezoni sapo ka nisur dhe në këtë pikë është ende shpejt për të folur për titullin”.