Ledian Memushaj ishte afrimi i madh i Peskarës në merkaton e verës. Një përforcim që ka dhënë menjëherë rezultat, sepse mesfushori shqiptar mbetet lideri i ekipit. Vlonjati dha asistin e golit të fitores së Peskarës, me mbrojtësin Gravilon në minutën e 73-të. Kuqeziu u ndëshkua edhe me karton të verdhë, shtatë minuta përpara fundit të ndeshjes.
Me suksesin minimal ndaj Foxhias, Peskara u rikthye te fitorja, pas barazimit të fundjavës së kaluar me Breshian. “Delfinët” ngjiten në vendin e katërt në renditje, me 8 pikë të grumbulluara në katër ndeshjet e para të Serisë B italiane, ku ende nuk e njohin humbjen dhe mbajnë ritmin e rivalëve të tjerë Verona, Çitadela dhe Palermo. Ndërkohë, portieri Elhan Kastrati qëndroi gjithë kohën në stol.
NDOJ – Emanuele Ndoj ishte titullar në barazimin 1-1 që Breshia regjistroi në fushën e Karpit. Mesfushori shqiptar luajti përgjatë gjithë ndeshjes, ndërsa u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 61-të. Barazimi i dytë radhazi për Breshian, që mbetet në pozita aspak komode në kampionatin e Serisë B, me vetëm 3 pikë të grumbulluara në katër ndeshje.
RUSI – Bekim Balaj ishte titullar në Rusi te Akhmat Grozni, që barazoi 1-1 në shtëpi përballë Orenburgut. Kuqeziu u zëvendësua pas pushimit ndërmjet pjesëve të lojës nga Bernard Berisha, me sulmuesin e përfaqësueses së Kosovës që nuk ka gjurmë në ndeshje, përveç kartonit të verdhë në minutat e fundit. Me këtë rezultat, Akhmati mbetet në mesin e tabelës, ku pozicionohet në vendin e shtatë me 11 pikë, pas 8 javëve të luajtura në Premier Ligën ruse.