Dy sezonet e fundit kanë qenë të tmerrshme për ekipin e Sanderlendit. “Macet e zeza” u rrëzuan në sezonin 2016/2017 nga Premier Liga, pas 10 viteve. Sezoni pasardhës ishte akoma dhe më i keq dhe klubi preku fundin. Sanderlendi dështoi të mbijetonte në “Championship” dhe ra në Ligën e parë. Ekipi kishte 30 vite pa luajtur në divizionin e tretë anglez, aty ku do të marrë pjesë këtë sezon.
Megjithatë, klubi shpreson që të kenë mbaruar ditët e zeza dhe ka ndryshuar atmosfera në ekip. Xhek Ros është zgjedhur trajneri i ekipit dhe ekipi është përforcuar me Wyke dhe Bellduin. Klubi ka ndërruar dhe pronarë dhe fati i Sanderlendit është në duart e një uruguaiani.
Huan Sartori ka blerë 20% të aksioneve të Sanderlendit dhe ka premtuar rikthimin e ekipit në Premier Ligë. Sartori nuk është një president si gjithë të tjerët, por me ambicie të mëdha në futboll.
Ai është një biznesmen i suksesshëm në Uruguai në fushën e energjisë, nxjerrjen e mineraleve, por jo vetëm. Sartori është një sipërmarrës i njohur dhe për faktin që gjendet në krye të kompanisë ndërkombëtare të kanabisit, me qendër në Uruguai, që është i vetmi vend amerikano-latin që e ka legalizuar përdorimin e kanabisit.
Kompania e 37-vjeçarit merret me shitjen e kanabisit për qëllime rekreative dhe mediciniale. Një shoqëri kanadeze e njohur me emrin “Aurora Cannabis” ka blerë kompaninë e Sartorit për 170 milionë euro.
“Sanderlend është një klub i madh, klubi i shtatë më i madh në Angli. Një shoqëri historike, me shumë tifozë, gjë që e bën klubin akoma më shumë tërheqës”, u shpreh Sartori gjatë prezantimit në klub. Pas suksesit të shitjes së kanabisit, manjati uruguaian dëshiron të rikthejë Sanderlendin në elitën e futbollit anglez. Tifozët besojnë shumë te Sartori dhe objektivi i parë është kalimi i ekipit një kategori më lart në këtë sezon.