Kristian Panuçi, trajneri i kombëtares, ka dalë sot në konferencë për shtyp dhe ka folur për çështje të ndryshme, duke e nisur me listën, për të komentuar më pas edhe për modulin, ndeshjet me Izraelin dhe Skocinë, por edhe për emra të përveçëm.
PRESIONI PAS MIQËSOREVE – “Natyrisht me këto ndeshje nis historia drejt Euro 2020. Kemi rikuperuar gjashtë lojtarë, të cilët kanë qenë deçizive. Presioni është për objektivin. Lajmi i mirë është rikthimi”.
AGOLLI, BASHA, MEMUSHAJ – “Për Agollin e kam thënë se duhet të gjejmë një zëvendësues. Ia kam thënë edhe atij. Kemi marrë Binakun dhe Demirin. Nuk kam thënë kurrë që nuk do e thërras. Jemi në një situatë ku Lenjani, Aliji dhe Memolla nuk luajnë. Ansi herë luan, herë jo. E kam grumbulluar pasi ka eksperiencë të madhe. Janë tre mbrojtës të majtë, do shohim se kush do luajë. Sa i takon Memushajt, ai ka qenë i dëmtuar, ndaj nuk mund të më pyesni pse nuk e kam marrë. Basha kishte ndeshje me ekipin dhe nuk ishin data zyrtare. I duhej klubit. Në momente të tilla vendosin klubet. E njëjta situatë edhe me Alijin, i cili luan me Virtus Entela”.
AGOLLI I PAZËVENDËSUESHËM – “Kam thënë që duhet të gjejmë një tjetër mbrojtës të majtë. Në moshën 37 vjeç, nëse Ansi është në formë unë do e thërras. Edhe Karabaku ka marrë një mbrojtës të majtë. E kam thënë se Ansin do e ftoj nëse do kemi nevojë. Nuk kemi Alijin dhe Memollën. Nëse do na japë një dorë edhe pas dy vitesh, do e thërrasim. Për momentin na shërben”.
SA JU BIND LISTA – “Mavraj ka shumë që nuk luan, kemi Grezdën që nuk ka luajtur gjithashtu. Kemi thirrur Hykën, mungojnë Sadiku dhe Roshi të dëmtuar. Agolli luan e nuk luan, ashtu si Binaku dhe Lika. Nuk jemi Brazili. Jemi skuadër e mirë kur jemi të gjithë. Jam përpjekur të thërras një skuadër me eksperiencë. Tani janë ndeshjet zyrtare. Nëse jemi të plotë, siç kemi bërë mirë në Turqi, me Spanjën dhe Italinë, mund të bëjmë sërish”.
MERITAN SHABANI – “Kam folur me federatën për këtë lojtar. E kam kërkuar, por ai nuk ka marrë një vendim akoma.”
EGLI KAJA – “Nuk ka pasur asnjë kontakt me të. I shohim të gjithë. Po ju jeni menaxheri i tij? (qesh). Kemi shumë lojtarë, mbi 250. Më bën përshtypje fakti që nuk përgjigjen. Nuk marrin mundimin as të kthejnë përgjigje. Kjo nuk më ka lënë një shije të mirë”.
RAMADANI DHE CIKALLESHI – “Ramadani është pjesë e grupit, kemi marrë lojtarë ekspertë për këto ndeshje. Jam munduar të marr ata që janë në formë. Cikalleshi luan pak për momentin”.
IZRAELI – “Jam i bindur se kjo skuadër mund të bëjë mirë. Jam i bindur se këta lojtar bëjnë mirë. Ata që luajnë pak, ose fare, nuk mund të luajnë në dy ndeshje. E ka edhe kundërshtari këtë problem. Kam folur me Grezdën dhe Mavrajn, ata kanë ndjekur një program nga stafi ynë. Mbrojtësi mund të përballojë njërën ndeshje. Kemi punuar çdo ditë me ta, unë komunikoj dhe di çka ndodh me ta. Xhaka është kthyer të luajë, por është lojtar me karakter, është lojtar që i jep flakë lojës. Na shërben shumë. Edhe Grezda mund të na ndihmojë, qoftë edhe 3 minuta”.
PORTA – “Është problemi i fundit që kam. Janë dy portierë të mirë. Strakosha luan më shumë, Berisha më pak. Ata na japin garanci. Jam i qetë për këtë aspekt. Kemi rikuperuar mesfushën dhe është me rëndësi”.
MODULI I LOJËS – “Pa Roshin, mund të ndryshojë sistemi deri diku. Ata luajnë me një sistem loje. Janë dy ndeshje shumë të ndryshme ajo me Izraelin dhe Skocinë. Këta të fundit të vënë në presion dhe duhet zjarr nga të gjithë lojtarët. Për ne ky kompeticion është i rëndësishëm dhe duhet ta nisim mirë”.
MIQËSORET E FUNDIT – Nuk dua të kujtoj ndeshjet miqësore. Na mungonin shumë lojtarë, disa e kishin mendjen te pushimet. Jam i kënaqur për rikthimet”.
GRUPI – “Është një grup i ekuilibruar. Skocia është një ekip me kondicion fizik të lartë, ne duhet të kemi dëshirë të madhe. Ne kemi skuadrën tonë, po të jemi të plotë, mund të bëjmë mirë. Kurse me Izraelin kemi fituar dhe na kanë mundur”.
DUKA DO KTHESËN – “Nuk na vë në presion. Është e drejtë që duhet të reagojmë. Gjithçka ka ndodhur prej eksperimenteve. Tani nis historia e vërtetë e kombëtares. Kemi analizuar gjithçka me presidentin, për shumë gjëra. Nuk fshihem pas momenteve delikate. Më vjen për disa që nuk i kanë kuptuar arsyet. Tani nis një erë e re”.