Shqiptari Sinani dhe Dudelanzh bëjnë që Luksemburgu të hyjë në hartën Europiane

Një histori si në përralla. Në këtë rast, “Hirushja” është Dudelanzhi. Ekipi më i suksesshëm në Luksemburg, që shkruajti historinë, duke u bërë skuadra e parë e këtij vendi, e cila kualifikohet në fazën e grupeve të Europa League. Arritje e realizuar në më pak se tre dekada ekzistencë të klubit (i formuar në vitin 1991 nga bashkimi i tre klubeve).

Rrugëtim i pabesueshëm, që konfirmon magjinë e futbollit, ku nuk ka më ekipe të vogla. Një histori krejt ndryshe nga ato shqiptare, edhe sepse në vendin tonë është krijuar psikoza, se në Luksemburg, futbolli është në nivele amatore.

Kështu ndodhi kur përfaqësuesja e këtij vendi fitoi përballë Kombëtares kuqezi, në fundin e epokës “De Biazi”. Ishte qershori i vitit 2017. Humbja 2-1 përballë një ekipi gjysmë-profesionist për vlerësimin e opinionit, ishte e turpshme. Në fakt ishte një perceptim i gabuar.

Shqipëria po bënte pak për të ecur përpara pas kualifikimit historik në Euro 2016, me klube gjithmonë e më tepër në krizë financiare dhe sportive. Në anën tjetër, në Luksemburg po punonin me plan të qartë drejt së ardhmes, për ekipin përfaqësues dhe klubet.

Dudelanzhi është shembulli konkret. Skuadra që në edicionin 2005-2006 kaloi e para një tur në Champions League, ndërsa në sezonin 2012-2013 fituan 1-0 me Salcburgun në shtëpi dhe u mposhtën 4-3 në Austri, duke u kualifikuar prej rregullit të golave jashtë fushe dhe siguroi pjesëmarrjen historike në turin e tretë të Champions League.

Pavarësisht atij rezultati, pakkush i mori seriozisht. Mbi të gjitha në Shqipëri. Kur shorti i këtij edicioni e vendosi Dritën përballë Dudelanzhit në turin e dytë të Europa League, të gjithë menduan se kampionët e Kosovës ishin me fat. Fusha tregoi të kundërtën. Ekipi nga Gjilani ishte inferior në lojë dhe përgatitje krahasuar me rivalët, që menaxhuan forcat si duhej dhe shfrytëzuan çdo situatë, ku fituan 2-1 sfidën e parë dhe barazuan 1-1 në ndeshjen e kthimit.

Ekipi nga Luksemburgu e kishte marrë aq seriozisht Europën, sa klubi investoi në blerjen e lojtarëve, duke e rritur vlerën e kontingjentit në 3,8 milionë euro. Pothuajse sa gjysma e Kukësit, që këtë vit dështoi në arenën ndërkombëtare dhe vlerë më e ulët se Partizani e Luftëtari të eliminuara në turin e parë, apo edhe Laçi që të paktën u kualifikua në turin e dytë të Europa League.

Në rrugëtimin europian, Dudelanzhi eliminoi më pas Legian e Varshavës (fitore 2-1 në Poloni dhe barazim 2-2 në shtëpi) dhe së fundmi kampionët e Rumanisë, CFR Kluzh. Fitore 2-0 në Luksemburg dhe 3-2 në trasfertë. Në kufijtë e së pabesueshmes. Heroi i ndeshjes në Rumani, me dy gola të realizuar ishte Danel Sinani. Mesfushori 21-vjeçar me origjinë shqiptare dhe i lindur në Luksemburg, për të cilin pakkush është kujtuar.

Prej thuajse tre vjetësh emri i tij qarkullonte si kandidat për përfaqësuesen kuqezi, por askush nuk e kontaktoi. Ndoshta sepse mendonin se “luante thjesht në një kampionat amator”. Tani Sinani (pjesë e përfaqësueses A të Luksemburgut) dhe Dudelanzh do të luajnë në grupet e Europa League, ndërsa në Shqipëri do ta shohin nga televizori.

 

2 Golat e Daniel Sinanit…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *