Luçiano Moxhi një vit më parë u prezantua te Partizani dhe para mediave shpalosi projekte të mëdha, foli për ndërtim të akademisë, skaut në Shqipëri dhe rajon, një Juventus në miniaturë. Italiani arriti deri aty sa vuri një ultimatum për Edgar Çanin, por sot i hedh poshtë të gjitha.
“Nuk kam qenë kurrë këshilltar i atij klubi, por i kam dhënë vetëm një dorë një mikut tim dhe kam këshilluar një drejtues”, janë fjalët e ish-drejtorit të Juventusit, i cili në vendin fqinj është i dënuar përjetësisht të merret me futboll.
Gjithsesi pozicioni i tij ishte i paqartë te Partizani. “Nuk jam një drejtues me fuqi vendimmarrëse, por një këshilltar i presidentit Demi. Dhe si i tillë, i kam këshilluar presidentit Demi të krijojë ambientin për një ‘Juventus të vogël’ në Shqipëri. Me Juventus kam parasysh të bëhet ajo që është bërë në të shkuarën në klub, ashtu si me Torinon dhe me Napolin: ndërtimin e një sektori të rinjsh, sepse një klub nuk mund të mbështetet vetëm tek blerjet, por edhe te shitjet”, deklaronte në “Tirana Times” Moxhi muaj më parë, ndërkohë që deklaratat e tij ishin sikur të ishte numri një i klubit.