Mbas çdo vështirësie lind përsëri dielli dhe diçka e tillë i ka ndodhur futbollistit Sedrik N’Guesen. 18-vjeçari aktivizohet me Olginatesen, ekip që luan në kategorinë e katërt italiane.
Drama e N’Guesen nisi gjatë ndeshjes Olginatese-Pro Sesto të zhvilluar në marsin e këtij viti. 18-vjeçari me origjinë nga Bregu i Fildishtë pësoi një goditje në zemër. Gjatë ndeshjes, ai ndjeu një dhimbje, por tentoi të vazhdonte ndeshjen. Diçka e tillë solli shtimin e simptomave dhe lojtari u transportua me ambulancë për në spital.
Rezultati i analizave ishte i frikshëm: ishemi kardiake dhe mjekët i ndaluan rikthimin në fushat e blerta. Afrikanit i ishte ngushtuar një arterie koronare (shkaktuar nga formimi i pllakës brenda enëve të gjakut), që redukton sasinë e gjakut, që arrin në zemër.
Doktorët ia dolën t’i shpëtonin jetën, por karriera e tij ishte vënë në dyshim. N’Guesen nuk u demoralizua dhe përballoi një proçes të gjatë rikuperimi. Përkushtim, këmbëngulje, dedikim dhe vetëm para një muaji, atij iu hap drita jeshile për t’u kthyer në fushë. Ai luan me Olginatesen që në moshën 9-vjeçare dhe ndihet si në shtëpi. Në ndeshjen e zhvilluar përballë Skanzaroskiates, N’Guesen gjeti golin e parë për këtë sezon.
Emocione të mëdha për 18-vjeçarin dhe klubi i tij i bëri një dedikim të veçantë në rrjetet sociale mbas golit të shënuar.
“Je pjesë e jona që kur ishe një fëmijë. Të kanë ndodhur të gjitha dëmtimet e mundshme që nga dora e deri të krahët e thyer. Ke qenë gjithmonë në qendër të projekteve tona. Na e ke shpërblyer gjithmonë me përkushtim, xhentilesë dhe gola. Në mars zemra jote vendosi të na trembë të gjithëve, ndërsa dje frika e madhe mori fund. U riktheve mbas lejes së mjekëve dhe në ndeshjen e parë tënden mbas rikthimit, erdhi dhe goli i parë për ekipin tonë. Sed, komplimente me zemër nga të gjithë ne. Familja jote. Olginatese”, përfundon dedikimi i veçantë i klubit për talentin, por mbi të gjitha luftëtarin e tyre.