Skaneri i Mezanit: Laçi, Flamurtari, Superiorja dhe… trajnerët e rinj

Gentian Mezani vjet pati mundësinë të tregonte vlerat e tij si trajner dhe me Laçin u rendit në vendin e katërt dhe shkoi në finalen e Kupës së Shqipërisë. Sigurimi i Kupave të Europës ishte një sukses, ndërkohë që nuk mbeti pa rënë në sy edhe loja e bardhezinjve.

Në një intervistë të dhënë për “Sport Ekspres”, trajneri vlonjat flet për mungesën e stolit, ish-ekipin e tij, Flamurtarin e dashur për të, por edhe për nivelin e kampionatit shqiptar. Edhe pse mungojnë sulmuesit, ai beson se ekipet e elitës do vijnë në rritje nga java në javë. Në fund diçka edhe për trajnerët e rinj

Profesor, me pushime për momentin. Si ndiheni duke e parë si spektator Superioren?
Padiskutim që më mungon, pasi është pasion dhe kushdo trajner do ta kishte të vështirë ta shikonte nga tribuna dhe jo nga stoli duke e drejtuar një ndeshje futbolli.

Si po ju duket Laçi, që e keni drejtuar sezonin e shkuar?
Mendoj se Laçi ka një skuadër me disi me shumë eksperiencë se vitin e kaluar, edhe pse janë djem të rinj. Sezoni i shkuar i ka rritur goxha dhe mendoj se do të bëjë mirë dhe këtë vit.

Ju kemi parë në tribunë në ndeshje Flamurtari-Kukësi. A ju ka bindur ekipi deri më tani?
Flamurtari e ka nisur mire këtë sezon dhe mendoj se është disi skuadër me sulmuese se vitin e shkuar. Kjo më pëlqen te Flamurtari, pasi mendoj se duke bërë një gjë të tillë, jo vetëm do të dhurojë futboll të bukur, por do të marrë dhe rezultate të mira.

Superiorja, më e fortë apo është dobësuar në krahasim me sezonin e shkuar, duke parë që janë larguar edhe emra si Guri, Soue, Abazaj?
Duke parë këto dy ndeshje, por edhe përbërjen e skuadrave, ekipet kanë probleme në shënimin e golit. Pra pothuajse tek të gjitha skuadrat mungon një sulmues që mund të të zgjidhë ndeshjen në momente të vështira, gjë kjo që e bën më të vështirë spektaklin, por edhe fitoren për një skuadër. Padiskutim që largimi i tyre ka dobësuar atë që thashë pak më parë, repartin e sulmit. Por unë mendoj që nga ndeshja në ndeshje skuadrat do të rriten më shumë dhe nuk do të jetë çudi që të dalin lojtarë si Guri e Abazaj, pasi kampionati shqiptar është rritur goxha dhe çdo vit po prodhon lojtarë të cilët largohen në kampionate të tjerë jashtë Shqipërisë.

Mezani sezonin e shkuar, Shehi e Shkëmbi këtë sezon, a duket se ne Superiore po i kthejnë sytë nga trajnerët e rinj dhe shqiptarë, apo është rastësi?
Me vjen shumë mirë që shumë presidentë po u japin besim trajnerëve të rinj. Edhe pse i kam uruar, shpresoj që të bëjnë sa më mirë këtë vit si Bledi e Shehi, por dhe Devolli e Plori, pasi mendoj se kampionati shqiptar ka nevoje dhe faktet më japin të drejtë për trajnerët shqiptarë.

ELTON NIKA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *