Laçi e nis në Elbasan kampionatin dhe do të përballet me Kukësin e Armando Cungut. Një sfidë me disa “ish”-ë, duke nisur nga trajneri shkodran, për të vijuar me mbrojtësin Harallamb Qaqi dhe sulmuesin Rexhinaldo. Bardhezinjtë shkojnë me objektivin për të marrë pikë.
Ditën e sotme trajneri Artan Mërgjyshi ka punuar me ekipin paradite dhe kjo jo pa arsye. Në mbrëmje pritet që të vëzhgojë Kukësin që përballet me Torpedon në “Elbasan Arena”. Me shumë mundësi tekniku i Laçit do të jetë në stadium.
Sigurisht që do të mbajë shënime për verilindorët dhe më pas do të përgatitë edhe strategjinë për ndeshjen e së dielës, që luhet prej orës 16:45. Laçi për ndeshjen e parë të kampionatit nuk do ta ketë mesfushorin Bojan Najdenov, i cili pret nga FIFA “OK” për t’u aktivizuar.