Flamurtari ka nevojë për një sulmues tjetër pas largimit të Danilo Alveshit. Momentalisht, emër me peshë është vetëm Tomislav Bushiç. Kroati mbajti shiritin e kapitenit sezonin e kaluar, ndërsa do të vazhdojë të luajë për fanellën kuqezi.
Në Greqi, aty ku po zhvillohet faza përgatitore, vlonjatëve u është afruar një sulmues në provë. Nuk ka më afrime me video, hap pozitiv ky. Francezi Fanxho Kasambe po mundohet të bindë trajnerin Ilir Daja. CV-ja e tij të ngjall respekt, pasi ka qenë pjesë e Okserit dhe Kaenit në Francë. Mosha e tij e re, vetëm 21-vjeç, mund ta favorizojë, pasi shihet si një investim për të ardhmen.
“Sport Ekspres” ka mësuar dhe pretendimet për lojtarin. Nuk kërkon shifra të çmendura francezi, pasi synon një rrogë mujore 3-4 mijë euro. Në ndeshjen e sotme kundër AEK U-20 do të merret vendimi për të. Vlonjatët do të luajnë prej orës 18:00.