Laçi pret Molden ditën e nesërme në ndeshjen e kthimit të turit të dytë të Europa League. Humbja me tri gola në ndeshjen e parë komplikon gjithçka sa i përket çështjes së kualifikimit, por në kampin kurbinas ka dëshirë për të zhvilluar një ndeshje të madhe.
Në një prononcim për “SuperSport”, mbrojtësi i kurbinasve, Eglantin Gjoni, flet për ndeshjen e kthimit, kundërshtarin dhe mundësitë e një përmbysjeje. Laçianët do të japin gjithçka dhe besojnë, por verdiktin do e japë fusha e blertë.
“Rezultati 3-0 është i rëndë, i vështirë, por sikurse kundër Anorthosis kishim besim dhe ia dolëm. Tani luajmë ndaj një ekipi më të vështirë, por mundësitë janë. Kundërshtari ishte më i fortë dhe normalisht raundi i dytë është më i vështirë, por penalltia në golin e parë na i preu gjunjët.”
Gjoni flet dhe për të ardhmen, e cila do të vazhdojë nën ngjyrat bardhezi. “Jam shumë mirë këtu, me presidentin kam marrëdhënie shumë të mira. Le t’ia lëmë kohës”, përfundoi shtatlarti i mbrojtjes, i cili në dy sezonet e fundit ka qenë titullar i padiskutueshëm te Laçi.