Ish-sulmuesi i Anglisë, Uejn Runi, shënoi golin e tij të parë, për të ndihmuar DC United të fitonte 2-1 ndaj Kolorado Rapids, në MLS. Sulmuesi 32-vjeçar shënoi golin e parë të ndeshjes në minutën e 33-të, por portieri veteran Tim Hauard i mohoi golin në dy raste të tjera. Kolorado, ku mungonte Shkëlzen Gashi, barazoi në minutën e 82-të, por në minutën e fundit të ndeshjes Xhekson shënoi për DC United.
Runi mori edhe një goditje të fortë në hundë në shtesë, duke u gjakosur, ndërsa trajneri Ben Olsen e lavdëroi pa masë pas ndeshjes: “Mendoj se nuk është hera e parë që gjakoset në një ndeshje. Ai është një djalosh i fuqishëm dhe nuk besoj se e trondit diçka e tillë. Ai ka qenë fantastik në çdo drejtim, në çdo mënyrë që ne duam, si lider dhe si golashënues. Shpresojmë që të përmirësohemi gjithnjë e më shumë”.
DC United mbetet në vendin e fundit në Konferencën e Lindjes, por ka një shpjegim logjik për këtë. Së pari, skuadra e Runit ka luajtur 3 deri në 5 ndeshje më pak se rivalët, ndaj nëse fiton takimet e prapambetura, kthehet fuqishëm në garë për një vend në play-off, çka do të ishte arritje e madhe. Së dyti, për shkak të punimeve në stadiumin e vet FC United ka luajtur vetëm 5 ndeshje në fushën e vet, nga 18 të tilla që ka luajtur deri tani, ndërsa në 15 ndeshjet që i kanë mbetur nga sezoni i rregullt, 12 do t’i luajë në Uashington, aty ku këtë sezon ka fituar 3 herë në 5 sfida.
Guys MLS broke Wayne Rooney #DCvCOL pic.twitter.com/uepLhflZoo
— Jimmy Mack (@jcmack03) July 29, 2018