Refik Halili dhe Ze Maria ishin javën e shkuar së bashku në stadiumin e qytetit të Laçit dhe ndoqën takimin mes kurbinasve dhe qipriotëve të Anorthosis Fagamusta. Në fushë ishte edhe Erjon Hoxhallari, mbrojtësi i majtë që bardhezinjtë në dy ndeshjet e Europës e pozicionuan në qendër të prapavijës.
Besnik Prenga, trajneri i Laçit, pas ndeshjes me qipriotët ishte i qartë: “Nuk e imagjinoj Laçin pa Hoxhallarin, madje i bëj thirrje presidentit ta blejë, këtë e them me shaka”. Palët kanë biseduar për zgjatjen e huazimit dhe duket gjithçka e mbyllur.
Burime të besueshme të “Sport Ekspres” bëjnë me dije se në seancën e sotme stërvitore Hoxhallari do të jetë i pranishëm në kampin kurbinas. Sigurisht që te Tirana do donin që mbrojtësi të vihej nën urdhrat e trajnerit Ze Maria, por nga ana tjetër Laçi kërkon që t’i jepet edhe një dorë nga bardheblutë për ndeshjet e turit të dytë.
Hoxhallari dha një kontribut të vyer në dy ndeshje kundër Anorthosis Fagamusta, teksa arriti të shënojë golin e vetëm në humbjen 2-1 që bardhezinjtë pësuan në Qipro. Ai gol pati shumë vlera për kalimin e turit. Gjithashtu ai bëri shumë mirë edhe në aspektin mbrojtës.