Gazetari i TyC Sports dhe Olé, Ariel Senosiain, ka publikuar një libër, “Mundial es Historias”, ku ka zbluar një prapaskenë të bujshme nga kampi argjentinas gjatë Kupës së Botës në Rusi: Lionel Mesi kërkoi një takim me trajnerin Sampaoli dhe i tha hapur: “Nuk kemi më besim te ty, më ke pyetur 10 herë cilat ndërrime të kryeje”.
Në fakt, një prapaskenë e tillë pak a shumë përflitej prej kohësh, por askush nuk e thoshte hapur, ndërsa tani konfirmohet që Horhe Sampaoli ishte “djegur” pa mbaruar Kupa e Botës, edhe pse u pushua nga puna vetëm para pak ditësh, duke marrë 2 milionë dollarë.
Një dështim total Botërori i Argjentinës dhe Sampaolit, ndërsa do të mbetet në histori skena kundër Nigerisë, kur 10 minuta para fundit Sampaoli pyeste Mesin: “Të fut Agueron?”. E bujshme, një trajner që pyet futbollistin në lidhje me ndërrimet.
Leo Mesi ishte kapiteni dhe lideri i ekipit, së bashku me Havier Masçeranon, dhe të dy bashkë morën frenat e skuadrës para ndeshjes kundër Nigerisë. Barazimi kundër Islandës dhe humbja ndaj Kroacisë e bënë situatën kritike, ndaj Mesi e Masçerano kërkuan një takim urgjent me trajnerin dhe stafin e tij, duke ia bërë të qartë: “Nuk e kuptojmë atë që na thua, nuk kemi më besim tek ty. Duam të themi edhe ne fjalën tonë, të vendosim”. “Të vendosni çfarë?”, u përgjigj i habitur Sampaoli. Përgjigja ishte e prerë nga Mesi: “Gjithçka. Më ke pyetur 10 herë për ndërrimet që duhet të kryesh dhe unë nuk të jam përgjigjur asnjëherë”.
Për konfliktin dinte gjithçka edhe presidenti i Federatës Argjentinase, Klaudio Tapia, i cili i tha Sampaolit shkurt: “Duhet të lëshosh pe”. Fundi dihet: Argjentina luajti me formacion e skemë tjetër në dy ndeshjet e fundit, ndërsa Sampaoli qëndronte kot në stol, në pritje të pushimit zyrtar nga puna.