Dzaria, nga Deti i Zi te faqja e bardhë me Kukësin!

Poti… Kush ka dëgjuar për këtë qytet të vogël të ndodhur në Gjeorgji, ndoshta do të ketë mësuar shumë, por shumë… gjeografi! Pak i interson tifozëve të Kukësit, të cilëve futbollisti i lindur dhe rritur në këtë qytet portual prej 47 mijë banorësh që “prek” Detin e Zi, u ka dhuruar një ëndërr, për momentin, edhe pse rruga është një malore e vështirë, në turin e dytë të Champions League.

Para në arkat e verilindorëve, shumë më shumë, nga sa presidenti Gjici i paguan rrogë mesfushorit Irakli Dzaria, 29 vjeç, me rolin mesfushor qendre. Një futbollist që të gjithë karrierën e tij e ka kaluar në Gjeorgji, me fillimet në një skuadër të vogël të quajtur FC Kolkheti-1913 Poti, pjesë e kampionatit elitar gjeorgjian.

Më pas, Zestafoni, Dinamo Tbilisi, Dila Gori dhe Sioni, deri kur janarin e këtij viti, në “portën” e tij trokiti skuadra verilindore. Rrogë modeste për mesfushorin, që për të parën herë mori valixhet dhe u largua nga vendlindja e tij, Gjeorgjia.

Sonte, në Maltë, në një tjetër vend të rrethuar nga deti, ai që erdhi nga Deti i Zi, do të “zbardhte” historinë e skuadrës verilindore, duke i dhuruar një tjetër tur në Champions dhe, edhe në rast eliminimi, një shans në Europa League, në turin e tretë kualifikues.

Një gol, në të vetmen goditje në portë për ekipin shqiptar. Nga sot, qytetin e vogël të Potit, në Gjeorgji, do ta njohin shumë kuksianë, që ndoshta do t’i duket edhe si Londër, sigurisht në termin figurativ…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *